"Vrapon më shumë sesa të gjithë tjerët" - profili i Kristjan Asllanit dhe ngritja në Serie A
Tashmë është çështje kohe se kur Kristjan Asllani, mesfushori 20-vjeç shqiptar, do të bëhet zyrtarisht futbollisti më i ri i Inter, sepse palët kanë rënë arritur ujdi për një lëvizje të tillë.
Inter ka gjetur një alternativë për Brozovic në mesfushë dhe emri i tij është hiç më pak se Kristjan Asllani, mesfushori i Empolit, i cili ka spikatur posaçërisht në vitin kalendarik 2022. Mes tjerash, ai gjatë edicionit të fundit në Serie A kishte arritur të shënojë në San Siro kundër Interit.

Asllani u lind në Elbasan, kurse më pastaj emigroi në një komunë modeste italiane, në Buti, e cila numëron 5 mijë banorë, e cila më vonë u bë shtëpia e tij prej moshës 2-vjeçe.
Gjatë hapave të tij të parë të karrierës në Itali, i ishte drejtuar njërit prej lojtarëve më të dalluar të Empolit gjatë viteve të mëparshme, Francesco Pratali, i cili sot është përgjegjës i njërës prej akademive të futbollit në qarkun e Butit. Atij i kishte kërkuar këshilla se çfarë rrugëtimi të ndiqte. "I thashë shko tek Empoli", deklaronte Pratali.
Në fund, gjithçka shkoi drejt atij drejtimi. Te klubi toskan i Empolit është paraqitur duke thënë se "më ka dërguar Pratali".
Asllani gjithmonë e ka bërë të qartë se pikë referimi kishte një bashkëkombas të tij, më saktësisht Elseid Hysajn, i cili gjithashtu kishte luajtur nën drejtimin e Maurizio Sarrit tek Empoli. Mbrojtësi shkodran i ishte bashkuar klubit toskan nga mosha 14-vjeçe.
"Ai është një lider. Dua të bëhem si ai", kishte thënë si i ri Asllani për Hysajn.
Pasi bëri disa sezone të mira në kampionatin kadet dhe atë junior të Italisë me fanellën e Empolit, Asllani filloi të shndrisë. Gjatë vitit të kaluar arriti të fitojë edhe kampionatin e Primavera me Empolin.
Ndërsa, në Serie A gjatë edicionit të fundit bëri kapërcimin cilësor nga lojtari junior në atë senior, falë personalitetit të tij. Kësisoj, filloi të bëhej edhe pasaardhësi i Samuele Riccit, para se i njëjti të lëshonte rrugë duke u transferuar te Torino. Deri në atë moment Asllani hynte vetëm nga pjesa e dytë në disa ndeshje të Serie A, kurse nga janari e këndej, filloi të ketë minutazh të çmuar, duke spikatur edhe me paraqitje të mira.
Ai ra në sy të të gjithëve. Aurelio Andreazzoli, trajneri i Empolit në sezonin që lëmë pas, deklaronte si vijon: "Ka të gjitha tiparet të futbollistit të rëndësishëm dhe vrapon më shumë sesa të gjithë të tjerët". Në fakt, asnjë gjepurë dhe hiperbolizim nuk qëndron në këto deklarata. Janë statistikat që e vërtetojnë një gjë të tillë.

Kristjan Asllani është futbollisti i 7-të në Serie A që ka mbyllur sezonin me mesataren më të lartë të vrapimit për ndeshje, duke qenë edhe i pari në skuadrën e tij me 11,05 km.
Ai mund të luajë në shumë pozita të fushës. Kur ishte tek të rinjtë e Empolit luante mbrapa sulmuesit qëndror, si "10"-sh, ku kishte shënuar 22 gola në pesë sezone. Mirëpo, Andreazzoli te skuadra e parë e Empolit e kishte vendosur në rolin e mesfushorit organizator para mbrojtjes, ku luante i tërhequr, në një mesfushë në formë rombi. Kjo nuk do të thotë që këto janë të vetmet pozita ku 20-vjeçari shqiptar mund të luajë.
Asllani fare mirë di ta mbulojë edhe pozitën e mesfushorit të majtë në mesfushën e rreshtuar me 3 futbollistë.

Pavarësisht faktit se me 27 paraqitjet e tij në Serie A ka shkëlqyer, ku edhe nga opinionistët italianë të futbollit është veçuar si futbollisti i ri më i mirë në qarkullim, Kombëtarja shqiptare akoma nuk ka arritur ta nxjerrë më të mirën nga ai, qoftë në Kombëtaren U21 të udhëhequr nga Bushi apo në atë A nga Reya.
Në mars të këtij vitit Reya e kishte inkuadruar në lojë nga pjesa e dytë ndaj Spanjës, si dhe titullar ndaj Gjeorgjisë, ku sot numëron në tërësi 4 paraqitje me kombëtaren kuqezi.

Përzgjedhësi italian i Kombëtares shqiptare fliste në superlativ për të: "Bëhet fjalë për një futbollist interesant, i cili është i prirë për të përfunduar në një klub të madh. Më së shumti më ka bërë përshtypje personaliteti i tij. Përshtypjet janë shumë të mira, sepse di të qëndrojë në fushë në mënyrë të mençur dhe luan mirë me të dy këmbët".