Viti i dështuar i kombëtares së Kosovës - NACIONALE

Viti i dështuar i kombëtares së Kosovës

2 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Viti 2023 për kombëtaren tonë rezultoi të jetë “vit i brishtë”. Kosova jo veç që s’ia doli të siguronte ‘biletën’ për në Gjermani, por i mbylli si vend i pestë këto kualifikime. Na doli para edhe Bjellorusia.

Qysh nisi tëkeqja jonë?

Kombëtarja e Kosovës kishte mjaft fat në shortin e hedhur. U gjetëm në grup me Zvicrën, Rumainë, Izraelin, Bjellorusinëë dhe Andorrën. Përveç Zvicrës, askush s’na trembte.

Kosova e nisi me rezultat pozitiv. E mori një pikë nga ndeshja me Izraelin si mysafir, kombëtare që shihej si rival direkt. Lojtarët ishin në formë. Gjithçka ishte në rregull. Por, vetëm tri ditë më vonë në Prishtinë gjithçka do të rrënohej. Kosova si vendëse do të barazonte me autsajderin, Andorrën.

Dështimi me Andorrën në shtëpi i trimëroi kundërshtarët tanë dhe i frikësoi lojtarët tanë. Qershori ishte edhe më i tmerrshëm. Barazim në Prishtinë me Rumaninë dhe humbje nga Bjellorusia.

Kjo humbje solli reagimin e FFK-së që e shkarkoi trajnerin francez Alain Giresse. Askush më nuk besonte që mund të kualifikoheshim. Por, në vend se të merrte një trajner me nam për të rritur cilësinë në ndeshjet e radhës, FFK-ja ia besoi detyrën një praktikanti slloven me emrin Primazh Gliha.

Nga këtu, degjenerim pas degjenerimi. U fitua një pikë ndaj Zvicrës në shtëpi me dy gola të superyllit tonë Vedat Muriqi. Në vend se kjo të shihej si një keqardhje për çka kishim mundur të bënim, u pa si shenjë se FFK-ja nuk duhej të reflektonte. Menjëherë në ndeshjen e radhës pësuam humbje ndaj Rumanisë.

Më pas Kosova i fitoi dy ndeshjet tjera: ndaj Andorrës si mysafire dhe ndaj Izraelit në shtëpi. Por, ishte shumë vonë.

Momenti kishte humbur. Nuk ishte bile as dështim i dinjitetshëm. Ishte një shthurrje poshtëruese e gjithë punës së mëhershme nga lojtarët e Kombëtares së Kosovës. Cikli do të përmbyllej, si sinonim i këtij dështimi, duke u mposhtur në shtëpi nga Bjellorusia 0-1.

Paraqitje të dobëta, lojë jo e mirë

Kosova s’ishte askund sa i përket nivelit që pritej prej saj. Mungonte dëshira për të ecur përpara e për të luftuar, dhe mungonte edhe guximi për të provuar skema të reja taktike.

Në 80 për qind të ndeshjeve, Kosova thjesht u mbrojtur duke tentuar që të përfitonte nga kundërsulmet. Mesfushorët ekzistonin thjesht sa për numër.

Si Alain Giresse ashtu edhe Gliha, duket se nuk i njihnin “pozitat e lojtarëve”, me Mërgim Vojvodën që luajti si sulmues në disa minuta ndaj Rumanisë, Bernard Berisha si mbrojtës i krahut të majtë kundër Izraelit apo edhe Zymer Bytyqi si mesfushor pavarësisht që kishte lojtarë në stol që u përkisnin atyre pozitave.

Gjëja e vetme pozitive – shkëlqimi i yjeve të Superligës së Kosovës

Nëse do të ishte ndonjë gjë pozitive në këtë vit për Kosovën, atëherë është padyshim paraqitja fantastike e lojtarëve të Superligës së Kosovës, si Albion Rrahmani, Meriton Korenica, Qëndrim Zyba, Muhamet Hyseni, Lumbardh Dellova dhe Ilir Krasniqi edhe pse dy të parët tani kuptohet janë në Evropë.

Të gjithë këta lojtarë debutuan për Kosovën, duke dhuruar paraqitje fantastike, me Korenicën që asistoi për golin e barazimit ndaj Zvicrës, Zyba që ishte i jashtëzakonshëm në mesfushë, Hyseni që realizoi një gol fantastik ndaj Zvicrës e Dellova me Krasniqin që krijuan një lidhje të shkëlqyer me Fidan Alitin në zemrën e mbrojtjes.

Albion Rrahmani gjithashtu ishte shumë i mirë në ato pak minuta që zhvilloi edhe pse fatkeqësisht mori një lëndim në këmbë, që e la jashtë fushës për disa muaj.

Tani, Kosova është në kërkim të një trajneri që pritet të zyrtarizohet në fillimin e muajit shkurt dhe ta harrojë sa më parë këtë vit të dështuar, për t’u fokusuar në Ligën e Kombeve, me shpresën për ta realizuar ëndrrën, pra pjesëmarrjen në Kampionatin e ardhshëm Botëror.

Lajme të ngjashme