Vinicius: Nuk mendoj largimin nga Real Madrid, Franca favorit për Kupën e Botës
Sulmuesi Vinicius Junior së fundmi ka treguar se mendon pensionimin te Real Madrid, derisa ka parë Francën si favoriti kryesor për Kupën e Botës.
Braziliani ka dhënë një intervistë të gjatë për “Sportbible”, ku foli për shumë gjëra.
Fillimisht, Vini e vlerësoi golin ndaj Liverpoolit në finalen e Ligës së Kampionëve si më i rëndësishmi i karrierës.
"Mendoj që është një ndër më të rëndësishmit në karrierën time. Më i bukuri, më i veçanti. Ishte shumë i rëndësishëm, ta fitoja Ligën e Kampionëve në moshën 22-vjecare dhe të shënoja në finale. Do ta kujtoj përgjithmonë, edhe më shumë tek klubi që fiton më së shumti dhe e dashuron këtë garë".
"Jam shumë i lumtur, por nuk dua të ndalem më kaq. Ka shumë Liga të Kampionëve në vijim dhe dua të fitoj sa më shumë që të mundem".
I pyetur nëse mendon të luaj ndonjëherë në Premierligë, Vinicius tregoi haptas se ëndërron pensionimin te Real Madrid.
"Është e vërtet që jam shumë i lumtur te Real Madrid dhe mendoj se do të luaj derisa të pensionohem. Sigurisht, eksperienca në një ligë tjetër është e rëndësishme dhe mendoj se Premierliga është ligë që çdo lojtar dëshiron të luaj. Por, ëndrra ime ishte dhe është të luaj për Real Madridin".
Pas kësaj, anësori komentoi rivalët kryesorë për Kupën e Botës, ku e veçoi Francën, pranë Anglisë, Argjentinës dhe Gjermanisë.
"Është e vështirë. Skuadra më e mirë është ajo që e fitoi së fundmi Kupën e Botës. Mendoj se Franca është në moment të mirë. Por, te Kupa e Botës shumë gjëra mund të ndryshojnë pasi ka shumë skuadra me shanse të mëdha. Argjentina po ia del mirë. Brazil, Angli, Gjermani janë të gjitha skuadrat që janë shumë të fuqishme dhe ndoshta Brazili e fiton".
Ai gjithashtu komentoi lidhjen e shkëlqyeshme me yllin e Man Utd, Jadon Sanchon, të cilin e njeh që një kohë të gjatë.
"Jam shumë i afërt me Sanchon, me të cilin kam luajtur kundër më herët. I uroj gjithmonë më të mirën. Gjithmonë shkëmbejmë mesazhe dhe jam shumë i lumtur kur shënon ose luan mirë".
Në fund, Vinicius foli edhe për bashkëlojtarin Karim Benzema dhe bëri të ditur se synon që në të ardhmen ta fitojë Topin e Artë.
"Jam shumë i lumtur me paraqitjet e Benzemas në sezonin e kaluar dhe që i kam ndihmuar duke kontribuar që të jetë më i miri, meqenëse ka punuar kaq shumë në klubin më të madh në botë".
"Është gjithmonë shumë vështirë dhe ai është shumë i dedikuar dhe e meriton çmimin. Jam gjithmonë i qetë kur luaj. Mendoj më të mirën për skuadrën".
"Nëse në të ardhmen mund të jem më i miri në botë, kjo varet si sezoni shkon. Duhet të vazhdoj të punoj dhe të përmirësohem që të arrij t'i realizoj ëndrrat".