Villarreal, qyteti i vogël që po lufton kundër elitës evropiane
Rrethi çerekfinal i garës së sivjetme në Ligën e Kampionëve përbëhet nga klube prej Madridit (dy), Munihut, Lisbonës, Londrës, Mançesterit dhe Liverpulit – qyteteve më të mëdha dhe më me ndikim.
Por aty është edhe Villarreali, një ekip nga një qytet industrial me emrin e njëjtë në lindje të Spanjës, me një popullsi prej vetëm 50 mijë njerëzve dhe, disa mund të thonë, paksa i vogël për ta mbajtur një kompani kaq madhështore.
Fitorja tronditëse 1:0 kundër kampionit gjerman Bayern Munich javën e kaluar nënkupton se Nëndetësja e Verdhë, siç njihet me nofkë Villarreali, do të futet në ndeshjen e kthimit të martën me një mundësi për ta arritur gjysmëfinalen e garës kryesore evropiane për klube për herë të parë që prej vitit 2006.

Por suksesi i tij nuk duhet të jetë habi. Përkundër vogëlsisë, Villarreali është kualifikuar në garat evropiane 17 herë në 22 sezonet e fundit.
Kur Marcos Senna iu bashkua klubit pasi erdhi nga Brazili më 2002, gjërat ishin ndryshe. Villarreali po merrte pjesë në La Liga vetëm për herë të katërt dhe luante kryesisht në garën e shuar tashmë, Intertoto Cup.
Që prej atëherë, Villarreali është bërë njëri prej ekipeve më të forta në Spanjë, duke e mposhtur Manchester Unitedin në finale të Ligës së Evropës sezonin e kaluar për ta fituar trofeun e parë të sezonit – një çast historik.

Klubi është mu në zemër të qytetit, dhe 21.626 njerëzit që e shikuan fitoren kundër Bayernit është një figurë jo shumë larg gjysmës së popullsisë së tij.
Senna, fitues i Kampionatit Evropian 2008, thotë se pavarësisht çfarë mund të thonë të tjerët, të luash për një ekip nga një qytet i vogël mund të jetë ëndërr që përmbushet.
“Natyrisht, ky nuk është vend për njerëz zbavitës”, thotë Senna, i cili punon tani si drejtor i klubit për marrëdhënie institucionale.
“Asnjë ekip nuk dëshiron lojtarë të cilët dalin gjithmonë në klube nate dhe Villarreali ka qenë shumë serioz për këtë në të kaluarën dhe madje nuk e pranonin askënd që jetonte në Valencia [qytet 45 minuta larg me veturë], në mënyrë që të kishin kontroll. Nuk është kështu më, megjithatë. Gjysma e skuadrës jeton atje tani, njëlloj sikur unë”, shtoi ai.
“Nëse vjen këtu me mentalitetin e duhur, mund të jetë shumë e lehtë për ju të përshtateni. Ne jemi afër bjeshkës dhe plazhit, kemi mot shumë të mirë tërë vitin. Klubi gjithmonë luan në kategorinë e parë, pagat i jep me kohë dhe të ofron gjithçka që të duhet”.
Fatkeqësisht për Bayernin, jo shumë ka ndryshuar që prej titullit në Ligën e Evropës.
“Gjithçka është njëjtë, përveç një gjëje: nuk përballemi më me trysninë se s’e kemi arritur kurrë finalen. Shkuam atje për herë të parë dhe fituam”, tha Senna.
“Jo gjithçka ndodhi brenda natës”
Megjithëse është ekip i udhëhequr nga familja dhe ka buxhet goxha më të vogël se rivalët e vet në Ligën e Kampionëve, Villarreali ia ka dalë që vazhdimisht t’i sfidojë fuqitë e mëdha nga vendet e tjera në vitet e fundit.
Askush nuk priste nga ai të shkaktonte befasi kudër Juventusit në rrethin e 16 më të mirë, por pas barazimit 1:1 në shtëpi në ndeshjen e parë, skuadra e Unai Emery fitoi 3:0 në Torino.
Mbase kjo ishte nata më e mirë në historinë evropiane të klubit.
Villarreali e arriti këtë përmes një strategji mendjemprehtë të rekrutimit, shpesh duke nënshkruar me lojtarë të cilët kishin dështuar në klubet e tjera dhe duke ua dhënë një mundësi të dytë atyre.
Trajneri i tij, Unai Emery, i përshtatet këtij modeli, pasi ishte shkarkuar nga Paris Saint-Germaini dhe Arsenali.

Ekipi i tij e ka një mbrojtje e cila ndërthur energjinë e rinisë së lojtarit vendor të vlerësuar lart, Pau Torres, me përvojën e ish-mbrojtësit të Real Madridit dhe Napolit, Raul Albiol, kampion i Evropës më 2008. Në mesfushë e ka të huazuarin nga Tottenham, Giovani lo Celso në formë shumë të mirë dhe në sulm ish-sulmuesin e Bournemouth Arnaut Danjuma dhe golashënuesin më të mirë të sezonit të kaluar në Ligën e Evropës, Gerard Moreni.
Jo çuditërisht, Nëndetësja e Verdhë është lartësuar si njëra prej tregimeve më të mira të suksesit në futboll.
“Jo gjithçka ndodhi brenda natës. Është rezultat i punës 25-vjeçare. Nuk e teproj kur e them se Villarreali ishte me fat që e gjeti Fernando [Roid], një biznesmen i madh i cili deshi të sjellë ide të reja dhe ta krijojë filozofinë tonë. Ne mund të shkojmë edhe më larg dhe të bëjmë biznes të çmendur në tregun e lojtarëve, por ne nuk jemi kështu”, shpjegoi Senna.
“Tifozët e tjerë thonë ‘pronari i Villarrelit ka shumë para’. Po, është e vërtetë, por mbrapa gjithë kësaj qëndron një projekt i madh. Mund ta shihni ekipet e tjera kanë investitorë por gjërat nuk iu funksionojnë. Këtu nuk është ashtu”.
“Tani kemi ekip më të mirë se në vitin 2006”
Senna ishte pjesë e Villarrealit në disfatën kundër Arsenalit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve më 2005/06.
Nëse e mposht Bayernin sonte dhe e arrin rrethin e njëjtë sërish, ish-mesfushori spanjoll thotë se mundësitë e skuadrës së tanishme janë më të mëdha se më 2006 për të kaluar tutje.
“Më 2006 e kemi pasur një buxhet më të vogël dhe një ekip më inferior se ky që e kemi tani. Skuadra e tanishme është më e balancuar në çdo pozitë. Kush do të fitonte nëse do të takoheshin mes vete? Pyetje e vështirë, natyrisht do të ishte një ndeshje e madhe, por nëse do të shkonte në kohën shtesë dhe do të kërkonte më shumë nga banka rezervë, skuadra e tanishme do të fitonte”.
