Villarreal "arrë e fortë" për Barcelonën - Atletico Madrid triumfon ndaj Real Sociedadit - NACIONALE

Villarreal "arrë e fortë" për Barcelonën - Atletico Madrid triumfon ndaj Real Sociedadit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Barcelona ka pësuar humbje në shtëpi në ndeshjen e fundit të La Liga-s për këtë edicion, derisa Atletico Madrid ka triumfuar në sfidën e vështirë ndaj Real Sociedad.

Katalunasit zhvilluan lojë të bukur, por që në fund pësuan humbje me rezultat 0:2.

Alfonso Pedraza kaloi fillimisht Villarrealin në epërsi pas një asistimi të bukur të Dani Parejos (41'), rezultat me të cilin përfundoi kjo pjesë.

Barcelona pastaj e nisi pjesën e dytë më mirë, duke pasur disa raste, që u mungoi finalizimi i tyre.

Por, kur nuk pritej, Adama Traore bëri një gabim trashanik duke i falur topin, Moi Gomez, që pastaj e kishte të lehtë të realizonte nga afërsia (55').

Barcelona në fakt pastaj ngushtoi rezultatin përmes Frenkie de Jong që shënoi me kokë, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Kështu, Barcelona e mbyll këtë edicion me 73 pikë në pozitën e dytë, derisa Villarreal qëndron në pozitën e shtatë me 59 sosh.

Atletico Madrid fiton ndaj Real Sociedadit, e mbyll sezonin si pozitë e tretë

Atletico Madrid ka triumfuar me rezultat komod 0:2 në udhëtim te Real Sociedad, që ta mbyll këtë sezon si pozitë e tretë në La Liga.

"Los Rijoblancos" arritën të arkëtojnë pikët e plota në udhëtim, edhe pse Sociedad ishte skuadër që dominoi gjatë tërë ndeshjes.

Pjesa e parë përfundoi ashtu siç nisi ngase asnjëra skuadër nuk i konkretizoi rastet e shumta që kishin.

Në pjesën e dytë, Atletico u tregua më e mençur, fillimisht duke kaluar në epërsi përmes Rodrigo de Paul që shënoi nga distanca pas një pasimi të Antoine Griezmann (50').

Ndërsa, Angel Correa vulosi fitoren duke realizuar me një goditje precize pas një asistimi të Koke (69').

Këto dy gola ishin të mjaftueshme që Atletico të përfundojë sezonin në vendin e tretë me 71 pikë, derisa Sociedad do marr pjesë në Ligën e Evropës, pasi renditët në pozitën e gjashtë me 62 sosh.

Lajme të ngjashme