Vetëm testet mjekësore e ndajnë Betim Fazlijin nga transferimi te St.Pauli - NACIONALE

Vetëm testet mjekësore e ndajnë Betim Fazlijin nga transferimi te St.Pauli

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbrojtësi kosovar Betim Fazliji është shumë pranë kalimit te klubi gjerman St.Paul nga klubi zviceran St.Gallen 1879.

Qendërmbrojtësi ka qenë ndër lojtarët më të mirë te skuadra zvicerane, por tani është shumë pranë kalimit në kampionatin gjerman.

St.Paul është shumë afër ta kompletojë nënshkrimin me kosovarin, i cili ditët në vijim do të udhëtojë për në Hamburg që të kryejë testet mjekësore, kështu se paku raporton "Transfermarkt".

Sipas këtij raporti, 23-vjeçari ka informuar trajnerin Peter Zeidler se dëshiron të transferohet në Gjermani, derisa ka mbetur vetëm që dy klubet të diskutojnë vlerën përfundimtare të kartonit.

Klubi që garon në Bundesliga 2 thuhet se ka përmirësuar ofertën e parë, e mediumi zviceran “Blick” në të kaluarën ka raportuar se kartoni i Fazlijit do të vlejë hiq më pak se 800 mijë euro.

Fazliji në fakt nuk do të jetë i vetmi futbollist kosovar që do të mbrojë fanellën e St.Paul, pasi që disa vite aty luan edhe mbrojtësi i krahut Leart Paqarada.

“Betim qëndro” – tifozët e Gallen nuk duan largimin e kosovarit

Nëse flasim për tifozët e St.Gallen, ata assesi nuk e duan largimin e mbrojtësit kosovar, të cilin e pëlqejnë që një kohë të gjatë.

Në ndeshjen miqësore të zhvilluar mes St.Gallen dhe Freiburg (3:4), tifozët kërkuan nga kosovari të mos largohet nga klubi.

"Betim qëndro", ishin lutjet e tifozëve që vazhdonin ta këndonin emrin e tij për shumë minuta pas përfundimit të takimit.

Në këtë miqësore, Fazliji nuk mori pjesë me arsyetimin se është i lënduar. Në fakt edhe trajneri Peter Zeidler pas atij takimit deklaroi se lojtari është në planet e tij.

"Fazliji në fakt ka një ënjtje në kofshë. Është pjesë e futbollit që ka thashetheme. Dhe në fund bëhet fjalë për paratë. Por unë jam duke u mbështetur tek ai. Ai mund të jetë edhe lojtari ynë më i rëndësishëm”, deklaroi ai ditën e shtunë.

Mirëpo, mediat zvicerane kanë shkruar komplet të kundërten duke shtuar se Fazliji mungoi vetëm shkaku që nuk dëshironte të rrezikonte ndonjë lëndim, që pastaj do t’ia pamundësonte kalimin në Gjermani.

Fazliji në total ka zhvilluar 97 paraqitje për klubin zviceran, duke realizuar pesë gola.

Lajme të ngjashme