Vendos supergoli i Avdylit, Kosova U21 fiton ndaj Izraelit
Kombëtarja e Kosovës U21 ka shënuar fitore minimale në udhëtim te Izraeli U21.
“Dardanët” e rinj arkëtuan pikët e plota me rezultat minimal 0:1, sfidë ku djemtë tanë ishin më të rrezikshëm gjatë tërë kohës.
Heroi i Kosovës doli të jetë Milot Avdyli që shënoi një gol fantastik pas vetëm 11 minutave lojë, duke e lënë të shtangur portierin vendas.
Kosova lehtësisht mund të shënonte së paku edhe dy gola tjerë, megjithatë nuk arritën t’i finalizonin aksionet.
Në anën tjetër, Izraeli U21 tentoi më shumë me kundërsulme – por që gjithashtu rezultuan të jenë joefektive.
Kjo fitore është e madhe për Kosovën U21, megjithatë gjasat për një kualifikim në Kampionatin Evropian “Euro 2025” mbesin minimale.
“Dardanët” e rinj renditen në pozitën e katërt me 12 pikë, aq sa ka edhe Bullgaria U21, derisa Gjermania dhe Polonia U21 renditen në pozitat një dhe dy, me 22 – respektivisht 18 pikë.
Kosova U21 në përballjen e radhës do të jetë mysafir i Estonisë U21, pas vetëm pesë ditëve, ku mbesin favorit i padiskutueshëm.