Vendos goli i Trossardit, Arsenal fiton derbin ndaj Man Unitedit - NACIONALE

Vendos goli i Trossardit, Arsenal fiton derbin ndaj Man Unitedit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Arsenali ka fituar përballjen e vështirë te Manchester Unitedit, në kuadër të kryederbit së xhiros të 37-të në Premierligë.

Skuadra londineze triumfoi me rezultat minimal 0:1, sfidë që doli të jetë shumë e hapur me raste të njëpasnjëshme nga dy palët.

Arsenali e nisi më mirë, duke mbajtur dominimin dhe krijuar disa aksione të bukura por që iu mungoi finalizimi.

Ishte Kai Havertz që dhuroi një asistim maestral te Leandro Trossard, i cili me një goditje nga afërsia i dha epërsinë mysafirëve (20’).

Ben White pastaj rrezikoi me një goditje nga distanca, por që rezultoi të jetë pak metra mbi traversë (29’).

Në pjesën e dytë, Man United ishte më kërkues në fillim, duke rrezikuar me Alejandro Garnachon, i cili humbi një rast të mirë nga afërsia.

Arsenali kishte raste për ta mbyllur çështjen e fituesit, por njësoi si Martinelli ashtu edhe Declan Rice nuk shfrytëzuan nga një mundësi.

Sidoqoftë, skuadra e Artetas arriti ta ruajë rezultatin dhe të fitojë pikët e plota që mund të jenë “jetike” në rast që Man City gabon në xhirot e mbetura.

Arsenali tani rimerr kreun e Premierligës me 86 pikë, derisa Man United zë pozitën e tetë me 54 sosh.

Lajme të ngjashme