KATAR 2022| Vëllai i gazetarit që vdiq duke raportuar në Botërorin e Katarit pretendon se ai u vra
Gazetari amerikan, Grant Wahl, u raportua se ka vdekur nga ankthi gjersa po mbulonte ndeshjen Argjentinë – Holandë. Këtë version nuk e beson edhe vëllai i tij, i cili hedh dyshime se ai mund të jetë vrarë.
Gazetaria sportive është tronditur në agimin e sotëm me lajmin se gazetari Grant Wahl ka ndërruar jetë në stadium, pasi kishte pësuar ankth nga ndeshja Argjentinë – Holandë.
Edhe pse kishte dëshmitarë okularë, që ishin vetë kolegët e tij të sportit që ftuan personelin mjekësor që t’i vihej në ndihmë, është vëllai i tij ai që nuk beson se Grant ka vdekur për arsye të tillë.
Eric, vëllai i tij, pretendon se qasja e Grant në Katar, ku demonstroi një revoltë paqësore ndaj organizatorëve duke veshur bluzën me ngjyrat e ylberit, në shenjë solidarizimi me komunitetin LGBTQI+, ka mundur të jetë fatale për të, duke ditur qëndrimet e vendit mikpritës të Botërorit rreth këtij komuniteti.

Me anë të një video që publikoi në rrjetin social “Instagram”, ai pohoi se vëllai i tij i ndjerë kishte pranuar kërcënime të ndryshme me vdekje në momentin që kishte vendosur ta bënte një akt të tillë sensibilizues në mbështetje të LGBTQI+.
Prandaj ai beson që vëllai i tij ka qenë i shëndoshë dhe se është vrarë në Katar. Eric ka thënë se dëshiron përgjigje dhe përgjegjësi për këtë çfarë ka ndodhur.
Çfarë thanë zyrtarët amerikanë të shtetit dhe Komiteti Organizativ i Botërorit?
Kolegët e tij gazetarë që ishin të pranishëm në hapësirën e njëjtë afër tij kërkuan që t’i jepej ndihma e parë nga ekipet mjekësore. Sipas shtypit amerikan, reagimi i mjekëve ka qenë i menjëhershëm, por i pamjaftueshëm që të shpëtonte nga vdekja.
“Ka pranuar menjëherë ndihmë mjekësore në vendin e ngjarjes, të cilat vazhduan edhe gjersa ai transferohej me ambulancë në Spitalin e Përgjithshëm të Hamadit”, sqaroi Komiteti Organizativ i Kampionatit Botëror.

“Jemi në kontakt me Ambasadën e ShBA-ve dhe autoritetet kompetente lokale për ta garantuar procesin e kthimit të kufomës në vendlindje në përpikëri me dëshirat e familjes”, nënvizoi Komiteti Organizativ.
Gjithashtu edhe Departamenti i ShBA-ve pati një reagim, ku u shpreh i tronditur në lidhje me rastin dhe u zotua se do të bëjnë përpjekjet maksimale për ta kthyer kufomën sa më parë të jetë e mundur.
“Jemi të angazhuar me zyrtarët e lartë të Katarit për të bërë çmos që dëshirat e familjes të respektohen sa më parë që është e mundur”, tha Zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Ned Price.
