Vedat Muriqi: Kosova po bëhet më e fuqishme, Rrahmani do ta thyej rekordin tim të golave
Sulmuesi Vedat Muriqi është ndarë i lumtur me pikën e vonshme të fituar ndaj Zvicrës.
Ylli i Mallorcas bëri heroin me dy gola ndaj Zvicrës, ku epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 2:2.
Ai për “Klan Kosova” deklaroi se kjo pikë është shumë e rëndësishme dhe që tani kanë nevojë vetëm për fitore ndaj Rumanisë.
“Normal pasi barazimeve dhe humbjeve, ka qenë e rëndësishme që të marrim një pikë këtu dhe të besojmë sërish, me fitore do hynim në garë dhe tani duhet të synojmë vetëm fitore ndaj Rumanisë që të kemi pak besim”.
Ai tutje dha lëvdata për Albion Rrahmanin dhe Meriton Korenicën, duke deklaruar se ylli i Rapid Bukureshtit do t’ia thyejë rekordin e golave te Kosova.
“Normal sidomos te goli i dytë, Korenica bëri asistim të klasit botëror. Po gëzohem shumë që po shoh fytyra të reja. Janë disa që ende nuk kanë luajtur, si Albioni, Altini, dy mbrojtësit si Ismajli, Kreshniku. Shpresoj që të kenë minutat e tyre dhe të futen sa më parë në grup që të bëhemi një kombëtare me e fuqishme”.
“Një stadium të quhet Fadil Vokrri? Është krenari dhe kënaqësi, por nuk i shoh këto sene. Nëse shteti bën këso gjëra, atëherë do të ishte privilegj dhe respekt për mua. S’po mendoj për gola, nuk jam asi lojtari”.
“Po ka edhe lojtarë të tjerë, si Albion Rrahmani që është një sulmues i jashtëzakonshëm. Ende nuk i ka ardhur rasti, por besoj që ai do të ma thyej rekordin për më së shumti gola në histori të Kosovës”.