Vedat Muriqi fajëson vetën për formën e Mallorcas: Nuk kam shënuar në tre muaj
Sulmuesi Vedat Muriqi ka qenë vetëkritik për rezultatet e Mallorcas, ku i rikujtoi vetës se nuk ka shënuar gol në tre muaj prandaj edhe nuk kanë pasur rezultate si klub.
Muriqi e gjeti rrugën drejtë rrjetës në përballjen ndaj Osasunas, i cili ishte goli i parë për yllin e Kosovës në vitin 2025.
Në një intervistë së fundmi para kamerave të La Liga-s, Muriqi deklaroi se duhet t’i rikuperojnë pikët e humbura.
“Po përjetoj ndjenja të përziera, sepse pas një kohe të gjatë shënova gol. Ishim afër fitores, e cila do të kishte qenë fantastike, por është futboll dhe ne e dinim që ai është një ekip i madh. Duhet të jemi gjithmonë vigjilentë. Ne donim ta ndërprisnim serinë negative të rezultateve. Shpresoj ta arrijmë kundër Las Palmasit. Duam të marrim tri pikë. Duhet t’i rikuperojmë pikët e humbura”.
Ndër të tjera, Muriqi shtoi se është i lumtur me golin e shënuar por duhet të vazhdojë me këtë ritëm.
“Unë jam një sulmues dhe statistikat e mia flasin vetë. Nuk kam shënuar asnjë gol për tre muaj. Skuadra vuan, sepse nuk shënojmë dhe nëse nuk e bëjnë sulmuesit një gjë të tillë, atëherë është përgjegjësi e sulmuesve. Duke qenë një nga më të vjetrit e skuadrës, duhet të fajësoj veten, të kritikoj veten dhe sa më shpejt që të jetë e mundur t’u japim përkrahësve tanë pak gëzim”.
“Ne u kthyem prapa pas golit të epërsisë. Kjo është normale, por na kushtoi. U kërkoj falje shikuesve. Jam i kënaqur me golin e parë të vitit, por ne duhet të fitojmë”, nënvizoi Muriqi.