Vedat Muriqi drejt kthimit në Turqi, pasi Mallorca s’u bind për ta mbajtur - NACIONALE

Vedat Muriqi drejt kthimit në Turqi, pasi Mallorca s’u bind për ta mbajtur

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Vedat Muriqi mund të kthehet në Turqi në verë, pasi raportohet se Mallorca ka vendosur të mos e blejë atë nga Lazio, pavarësisht një fillimi mbresëlënës të sulmuesit kosovar në La Liga.

Përfaqësuesi i Kosovës, Muriqi, iu bashkua klubit spanjoll në betejë për mbijetesë në janar nga Lazio, në një marrëveshje huazimi gjashtëmujor me mundësi për t’u blerë për 11 milionë euro në fund të këtij sezoni.

27-vjeçari e nisi furishëm jetën në La Liga, duke i shënuar dy gola dhe duke e dhënë një asist në tri javët e para. Por që prej atëherë, sulmuesi prizrenas dështoi ta shtrijë ndikimin e tij në skuadër dhe Mallorca i ka humbur shtatë ndeshjet e fundit në luftën e saj të vështirë për mbijetesë në elitën e futbollit spanjoll.

Dhe, sipas mediave spanjolle, Mallorca ka vendosur të mos ushtrojë mundësinë për ta blerë kosovarin dhe Muriqi do të kthehet në Lazio në verë, në klubin të cilit i përket por ku nuk është i dëshirueshëm më.

Muriqi ka marrëveshje me Lazion deri në verën e vitit 2025 por ai nuk bën pjesë në planet e trajnerit Maurizio Sarri dhe klubi italian do të kërkojë ta shesë atë në verë, pavarësisht se i shpenzoi 19 milionë euro për ta blerë atë nga Fenerbahce në vitin 2020.

Kosovarit i pëlqen ideja të kthehet në Turqi për të jetuar dhe këtë e kishte cekur muajin e kaluar.

“Sa herë që nuk luaja në Lazio, doja të kthehesha në Turqi në huazim. Kjo nuk ndodhi. Do të jetoj patjetër në Turqi pas futbollit. Jam 27-vjeçar dhe dua të kthehem në Turqi një ditë. Dua ta ndërtoj jetën atje”, kishte thënë Muriqi në mars.

Ishte pikërisht futbolli turk ku Muriqi e arriti pikën kulmore në karrierën e tij, pasi shkëlqeu në fanellën e Fenerbahces gjatë sezonit 2019/20, duke i shënuar 15 gola dhe duke i bërë 6 asiste në 32 ndeshje.

Ai është po ashtu golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Kosovës me 18 gola në 38 ndeshje në të gjitha garat.

Lajme të ngjashme