Van Dijk thotë se gjyqtari e humbi kontrollin në derbin e Merseyside
Mbrojtësi Virgil van Dijk kritikoi paraqitjen e gjyqtarit Michael Oliver në barazimin 2:2 të Liverpoolit ndaj Evertonit në “Goddison Park”.
Liverpooli kishte shansin për t’u shkëputur në nëntë pikë në reun e Premierligës, megjithatë lëshuan dy pikë krejt në fund te rivali lokal.
Duke folur për “TNT Sports”, Van Dijk sugjeroi se gjyqtari kryesor Oliver nuk ka qenë konsistent.
“Ishte intensive, gjithmonë do të jetë intensive”.
“Është zhgënjyese të humbasësh në sekondën e fundit të ndeshjes ose edhe në kohën shtesë. Nuk është e lehtë ta pranosh, por duhet ta pranojmë dhe të lëvizim”.
“Ishte përtej kohës shtesë. Gjyqtari kishte rol të madh në lojë dhe disa faulla iu dhanë Evertonit, ku të ngjashmet nuk na u dhanë neve”.
“Ishte zhgënjyese të pranojmë gol, goditje e mirë, por shumë zhgënjyese”, deklaroi ai.
Ndër të tjera, Van Dijk shtoi: “Ata bëjnë gjithnjë gjërat e njëjta, shkojnë direkt dhe luftojnë për topin e kthyer”.
“Kjo është finale e Kupës për ta dhe provojnë të na bëjnë të vështirë. E pamë sezonin e kaluar se çfarë bënë kundër nesh dhe këtë vit shënuan në fund. Është rritje për ta, goditje për ne”.
Liverpooli do të kthehet në “aksion” të dielën në përballjen ndaj Wolves.