Van Dijk: Nuk do të jetë aspak e lehtë të mbulohet Haaland
Van Dijk e ka pranuar se të dielën nuk do ta ketë një detyrë të lehtë, pasi do t’i duhet që ta mbulojë sulmuesin më në formë në qarkullim: Erling Haaland.
Ajo e fundjavës që vjen nuk do të jetë sfida e parë mes Van Dijk dhe Haalandit. Së pari janë ndeshur njëri ndaj tjetrit në Superkupën e Anglisë, të cilën e fitoi Liverpooli para fillimit të kampionatit. Aty mbrojtësi holandez ishte lavdëruar për një paraqitje të mirë, duke mos i dhënë shumë hapësirë yllit norvegjez.
Javët në vijim treguan dy fytyra krejtësisht ndryshe të dy lojtarëve në fjalë. Erling Haaland ishte eksploziv dhe shkatërrues për çdo mbrojtje kundërshtare, duke thyer rekorde mbi rekorde. Në anën tjetër, Van Dijk së bashku me tërë repartin e mbrojtjes të Liverpoolit ka bërë gabime të njëpasnjëshme.
Assesi nuk mund të thuhet se forma e sivjeme e mbrojtësit të Liverpoolit përkon me ato të sezoneve të mëparshme.
Van Dijk i vetëdijshëm se e pret një mision i vështirë ndaj Haalandit
Pas fitores që e regjistroi Liverpooli në Glasgow me rezultat 7:1, Van Dijk u prononcua për televizionin “TV 2”, ku menjëherë vëmendja u koncentrua te ndeshja e të dielës ndaj Manchester Cityt, me theks të veçantë te Erling Haalandi që do ta ketë si kundërshtar.
“Nuk do të jetë aspak e lehtë të mbulohet. Ka qenë në zjarr gjatë kësaj kohe. Nuk mund të thuash gjë tjetër”, theksoi ai fillimisht.
Van Dijk kujtoi se si i kishte paralajmëruar njerëzit rreth potencialit të Haalandit, edhe pse disa kishin filluar t’i vinin në pikëpyetje aftësitë e tij pas humbjes në Superkupën e Anglisë ndaj skuadrës së Klopp.
“E mbaj mend që pas Superkupës së Anglisë, kur shumë veta thonin se ishte fikur tërësisht në lojë, u pata thënë ‘dëgjoni, ky djalë do t’u shkaktojë shumë kokëçarje mbrojtësve'”, potencoi ai.

Mbrojtësi 31-vjeçar tregoi se çfarë duhet bërë në mënyrë që të neutralizohet sulmuesi i rrezikshëm i Manchester Cityt.
“Duhet të mundohemi që t’ia pamundësojmë zotërimin e topit, që të jemi gjithmonë në shkallën më të lartë në aspekt defansiv. Këto gjëra nevojiten gjithmonë ndaj Manchester Cityt. Edhe ndeshja e të dielës nuk bën përjashtim. Dëshirojmë që t’ua pamundësojmë shënimin e golave, pavarësisht se kush do të jetë në fushë”, deklaroi ai.
Liverpool po kalon në një formë të dobët në kampionat. Nënkampionia në fuqi e Anglisë sot zë vendin e 10-të në renditjen tabelore, ndërsa Manchester City renditet në pozitën e dytë me vetëm një pikë mbrapa Arsenalit që kryeson në tabelë.

