UEFA tregohet e butë me Serbinë, e dënon veç 14.500 euro, ndërsa Shqipërinë e dënoi me 37.375 euro
Organi i Etikës, Kontrollit dhe Disiplinës brenda UEFA-s, është treguar shumë i butë me Serbinë, duke e dënuar federaten e futbollit serb me vetëm 14 mijë e 500 euro, për dallim që Shqipërinë disa ditë më parë e kishte dënuar me 37 mijë e 375 euro.
Krejt këto dënime vijnë si rrjedhojë e sjelljeve të pahijshme të tifozëve në tribuna, gjatë ndeshjeve të xhiros së parë të Kampionatit Evropian.
Në raundin e parë të ndeshjeve, Serbia luajti kundër Anglisë të dielën, ndërsa të shtunën Shqipëria luajti kundër Italisë.
Për publikun kosovar dhe serb, këto dy ditë të Kampionatit Evropian u shënuan me incidente, simbole nacionaliste, provokime, ankesa.
UEFA njoftoi se ka nisur procedimin disiplinor ndaj Shqipërisë për hedhjen e objekteve në fushë, ndezjen e fishekzjarreve, pushtimin e fushës së lojës dhe transmetimin e mesazheve provokuese të papërshtatshme për aktivitete sportive.
Akuzat e ngritura ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë janë hedhja e sendeve dhe transmetimi i mesazheve provokuese.
Për asnjërin rast nuk u dhanë detaje specifike të incidenteve, ndonëse dihen që incidentet e shkaktuara nga serbët ishin larg më të mëdha.
Në vendimin e publikuar nga UEFA thuhet se organi i tyre i kontrollit, etikës dhe disiplinës ka vendosur të gjobisë Federatën e Futbollit të Shqipërisë me një total prej 37, 375 eurosh.
10.000 euro ndezja e fishekzjarreve, 12.375 euro për hedhjen e sendeve, 5.000 euro për pushtimin e fushës dhe 10.000 euro për mesazhet provokuese.
Sa i përket Serbisë, ajo është gjobitur me gjithsej 14.500 euro, pra 4.500 për hedhjen e sendeve dhe 10.000 euro për transmetimin e mesazheve provokuese që nuk janë të përshtatshme për një ngjarje sportive.

Një dënim shumë i lehtë për Serbinë dhe tifozët e saj fashistë, që vazhdojnë edhe sot në ndeshjen ndaj Sllovenisë me thirrje dhe provokime të njëjta.