UEFA i lejon Ballkanin e Dukagjinin të luajnë në Fadil Vokrri në kualifikime për garat evropiane
UEFA ua ka dhënë dritën e gjelbër Ballkanit dhe Dukagjinit t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre si vendase në Stadiumin Fadil Vokrri në kualifikime për garat evropiane.
Ballkani nuk e dinte deri sot se ku do ta priste Ludugoretsin në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues për Ligën e Kampionëve të martën e ardhshme më 11 korrik, për shkak të gjendjes së renduar të fushës në stadiumin në Prishtinë.
Zyrtarët e UEFA-s kanë qenë në kryeqytet për ta inspektuar fushën gjatë kësaj jave dhe kanë lejuar përfundimisht që kampioni i Kosovës Ballkani dhe Dukagjini të luajnë në Fadil Vokrri gjatë javës së ardhshme, konfirmoi Federata e Futbollit e Kosovës.
“Pas monitorimit dhe vlerësimit të fushës nga eksperti i UEFA-s, u vendos që ndeshja Ballkani-Ludogorets, në kuadër të rrethit të parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, më 11 korrik, dhe ajo Dukagjini-Europa, në kuadër të Ligës së Konferencës, më 13 korrik, të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”, njoftoi FFK-ja.

Megjtihatë, terreni në këtë stadium të vetëm që i plotëson kushtet e UEFA-s do të inspektohet sërish për ndeshjet e mundshme në rundet e ardhshme.
"Pas këtyre dy ndeshjeve, eksperti i UEFA-së së bashku me ekipin e mirëmbajtjes së stadiumit do të punojnë për t’u rikuperuar edhe mëtutje fusha, e cila ka pësuar dëmtime kohët e fundit", thuhet tutje në njoftim.
Dukagjini, i cili po merr pjesë për herë të parë në kualifikime për një garë evropiane, e pret klubit nga Gjibraltari Europa FC vetëm dy ditë pas ndeshjes së Ballkanit, të enjten më 13 korrik.