UEFA: Finalja e Ligës së Kampionëve 2027 nuk do të zhvillohet në “San Siro”
Finalja e Ligës së Kampionëve për vitin 2027 nuk do të zhvillohet në Milano shkaku i paqartësive për të ardhmen e stadiumit “San Siro”, kështu së paku ka njoftuar të martën organi qeverisës i futbollit evropian UEFA.
Sipas një njoftimi zyrtar, Bashkia e Milanos nuk ka garantuar që stadiumi San Siro të mos preket nga punimet e rinovimit deri në vitin 2027, andaj UEFA e ka larguar finalen e garës më prestigjioze në botë.
“Meqenëse Bashkia e Milanos nuk mund të garantonte që stadiumi San Siro dhe rrethinat e tij nuk do të prekeshin nga punimet e rinovimit në periudhën e finales së UEFA Champions League 2027, u vendos që finalja të mos i caktohet Milanit”, thuhet në komunikatën e UEFA-s.
UEFA shtoi pastaj se do të rihapë "procesin e ofertave për të caktuar një vend të përshtatshëm, me një vendim që pritet në maj/qershor 2025".
Kujtojmë, finalja e vitit 2026 do të mbahet në Budapest. Budapesti dhe Milani ishin kandidatët e vetëm për finalet e 2026 dhe 2027.
Tani mbetet të shihet se cila nga klubet e mëdha evropiane do të kërkojë nga UEFA që ta zhvillojnë finalen e Ligës së Kampionëve në stadiumin e tyre.