UEFA dënon Greqinë dhe Serbinë për dështimin në organizim të ndeshjeve
Organi më i lartë i futbollit në Evropë, UEFA, ka dënuar Federatën greke të futbollit për organizim të dobët të ndeshjes ndaj Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve.
Ndesha e zhvilluar më 12 qershor në Volos të Greqisë, më shumë se futboll kishte huliganizëm të shfaqur nga tifozët vendas.
Brenda shtatë ditësh Kosova zhvilloi dy ndeshje me Greqinë dhe në dy ndeshjet pësuan humbje, kështu duke humbur shansin për të siguruar pozitën e parë dhe për një plasman më të lehtë për Kampionatin Evropian të vitit 2024.

Ndeshja në Volos përfundoi me rezultat 2:0 për grekët, por çfarë vlen të cekët është se gjatë tërë ndeshjes, tifozët grek drejtonin laserët te lojtarët e Kombëtares së Kosovës duke i shpërqendruar.
Amir Rrahmani si kapiten kërkoi disa herë nga gjyqtari i takimit ndërprerjen e ndeshjes për shkak të laserëve, por kjo kërkesë hasi në vesh të shurdhër.
Tifozët vendas nuk e lan me aq, ata gjuanin fishekzjarre në drejtim të fushës e në drejtim të pak tifozëve Dardan që ishin të pranishëm në stadium.
Kjo bëri që disa herë spikeri i zyrtar i ndeshjes t’i paralajmëronte tifozët se po rrezikonin ndërprerjen e ndeshjes, por as kjo thirrje nuk u dëgjua, pavarësisht se gjyqtari i takimit e ndali ndeshjen për një periudhë.
Në fund të takimit kishte edhe hyrje të tifozëve në fushë, dhe gjitha këto dështime në organizim nuk kaluan pa u parë nga organi më i lartë i futbollit evropian.
UEFA më 13 korrik, para dy ditësh ka publikuar dënimin për Kombëtaren greke duke e dënuar pikërisht në këto pika: Thirrje raciste, hyrje të lojtarëve në fushë, hedhje të fishekzjarrëve dhe laserë drejtuar lojtarëve.
Vendimi:
Ndeshja e luajtur ndërmjet Greqisë e Kosovës më 12 qershor të vitit 2022 në Greqi.
-Dënohet Federata e Greqisë në futboll me 7750 euro dhe një pjesë të stadiumit të mbahet e mbyllur gjatë ndeshjes së ardhshme të organizuar nën ombrellën e UEFA-s, gjatë takimit ku Greqia luan si vendas. Arsyeja hedhja e objekteve të forta.
-Dënohet Federata e Greqisë në futboll me 6000 euro për hedhje të fishekzjarrëve.
-Dënohet Federata e Greqisë në futboll me 10.000 euro për hyrje të tifozëve në fushë.
-Dënohet Federata e Greqisë në futboll me 8000 euro për përdorim të laserit në tifozët mysafir.

Gjithashtu në të njëjtin vendim UEFA ka dënuar edhe Federatën e Futbollit të Serbisë dhe lojtarin Predrag Rajkovic.
Vendim
Për ndeshjen Serbi – Norvegji të luajtur më 2 qershor dhe ndeshjen Slloveni – Serbi më 12 qershor, vendimi është ky:
-Dënohet Federata e Futbollit të Serbisë me 30.000 euro dhe urdhërohet që dy ndeshjet e ardhshme si vendase t’i luaj me dyer të mbyllura, ku do të jetë në vëzhgim për dy vitet e ardhshme për thirrjet raciste në rast se përsëritën.
-Urdhërohet Federata e Futbollit të Serbisë të ndjekë udhëzimet e UEFA-s në ndeshjet si vendas dhe të mbajë banerin me logo të UEFA-s me shënimin ‘#NoToRacism’.
-Dënohet Federata e Futbollit të Serbisë me 5000 euro për hyrje të tifozëve në fushë.
-Dënohet Federata e Futbollit të Serbisë me 8000 euro për përdorim të laserëve.
-Suspendohet lojtari i Federatës së Futbollit të Serbisë, Predrag Rajkovic për dy ndeshjet e ardhshme nën organizimin e UEFA-s për përdorim të gjuhës abuzive.

