U rikthye me gol, Muriqi: Është puna ime
Sulmuesi Vedat Muriqi thotë se është i lumtur me golin e shënuar dhe fitoren ndaj Rayo Vallecanos.
Ylli i Kosovës e realizoi golin e fitores në triumfin 1:0 kundër Vallecanos, që ishte ndeshja e parë pas lëndimit që e mbajti një muaj jashtë fushës.
Pas ndeshjes, Muriqi deklaroi se ka punuar shumë për t’u kthyer sa më parë në fushë mirëpo nuk do të ndalet më kaq.
“Jam shumë i lumtur që u ktheva pas lëndimit me gol dhe fituam para tifozëve tanë, është ndjenjë shumë e mirë. Kam punuar shumë për këtë”.
“Kisha disa mundësi të cilat duhej t’i shfrytëzoja më herët dhe jo të prisja deri në momentet e fundit, por ky është futbolli. Duhet të punoj fort në javët e ardhshme për t’u përmirësuar”, u shpreh kosovari.
Mallorca është në formë të jashtëzakonshme, ku ishte fitorja e dytë radhazi ndërsa e katërta në pesë ndeshjet e fundit.
Muriqi ndër të tjera deklaroi se është më fat për formën, ndërsa nuk pranoi të flet kaq herët për një kualifikim në garat evropiane.
“Jam me fat që shënoj pothuajse në çdo ndeshje dhe më vjen keq për kundërshtarët, por kjo është puna ime”.
“Ende është herët që të flasim për garat evropiane. Dua t’i falënderoj tifozët sepse janë të mrekullueshëm, pavarësisht a fitojmë apo humbim. E ndiejmë vazhdimisht përkrahjen e tyre”.
Mallorca aktualisht renditet në pozitën e gjashtë në La Liga me 17 pikë të mbledhura.