U frikësua nga 'lufta' në Kosovë në vitin 2023, tani Coric kthehet te Llapi - NACIONALE

U frikësua nga 'lufta' në Kosovë në vitin 2023, tani Coric kthehet te Llapi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Portieri kroat, Marijan Coric, është kthyer te Llapi, me klubin që njoftoi zyrtarisht në rrjetet sociale për marrëveshjen me 29-vjeçarin.

Coric ishte pjesë e Llapit në dy sezone, gjegjësisht 2020/2021 dhe 2021/2022. Ai ishte shquar për paraqitje shumë të mira, duke ndihmuar skuadrën që ta fitonte edhe Kupën e Kosovës në edicionin 2020/2021.

Ai u largua në drejtim të skuadrës kroate Opatija, por qëndroi vetëm katër muaj.

U përflit për një marrëveshje sërish me Llapin asokohe, teksa trajneri Tahir Batatina, e konfirmonte për Nacionalen se babai i tij ishte pengesë për shkak se frikësoheshin se do të kishte luftë në Kosovë.

“Po, është e vërtetë. Coric donte të kthehej te Llapi, mirëpo babai i tij s’e ka lejuar, sepse ai është djalë hastreti dhe kur i ka parë barrikadat e ngritura ka menduar se mund të ndodhë luftë në Kosovë”, kishte thënë Batatina në një prononcim për Gazetën Nacionale.

Ngjarjet në veri kishin frikësuar dhe penguar që Coric të kthehej te Llapi për një aventurë të dytë në vitin 2023, por ai që nga sot do ta nisë periudhën e dytë me Llapin.

Portieri kroat ka nënshkruar kontratë për 18 muaj me Llapin, pasi kontrata me skuadrën paraprapke, NK Istra, u mbyll.

Marijan Coric për dy sezonet sa qëndroi te Llapi u shndërrua në një nga lojtarët më të dashur me paraqitjet e tij.

Lajme të ngjashme