U.d i sekretarit gjeneral të FFK-së: Kërkojmë nga FIFA që të merren masat adekuate ndaj Serbisë
Taulant Hodaj në cilësinë e ushtruesit të detyrës të sekretarit gjeneral të FFK-së, përmes një postimi në “Facebook” ka sqaruar më shumë rreth ankesës së parashtruar në FIFA ndaj flamurit serb me përmbajtje ksenofobike.
Në zhveshtoren e Serbisë nuk ishin vetëm pajisjet sportive të vendosura mbrëmë në ndeshjen ndaj Brazilit, por edhe një flamur propagandistik e shovinist, ku shihej harta e Kosovës e mbuluar me flamurin e Serbisë, e ku kishte një mbishkrim në gjuhën serbe: “Nuk ka dorëzim!”
Një pamje e tillë ka bërë që të kishte reagime të shumta në opinionin vendor në Kosovë, ku u kërkua nga FIFA që të jetë sa më e ashpër ndaj Serbisë dhe t’ia shqiptojë dënimin e merituar.
Gjatë ditës FFK ka njoftuar se ka bërë një ankesë zyrtare në FIFA në lidhje me këtë çështje, kur ka kërkuar nga shtëpia më e madhe e futbollit që të ndërmarrë masat adekuate.
Më detajisht ishte Taulant Hodaj ai që me një shkrim në profilin e vet privat në “Facebook” sqaroi se çka përmban ankesa e FFK-së dhe cilat janë pritjet e tyre (shkrim i paredaktuar):
Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, sot kemi ushtruar kërkesë zyrtare pranë Komitetit Diciplinor të FIFA-së që ndërmerrë masa ndaj veprimeve raciste dhe jo-sportive të lojtarëve të kombëtares serbe dhe tifozëve të tyrë gjatë lojës së luajtur kundër Brazilit, në kuadër të Kupës së botës që po mbahet në Katar.
Federata e Futbollit të Kosovës si anëtare me të drejta të plota e FIFA-së, konform dispozitave të Kodit Disiplinor të FIFA-së ka argumentuar pranë FIFA-së sjelljet jo-sportive, raciste e të tjera kundër Kosovës nga ana e lojtarëve serb me anë të vendosjes së banerit në dhomën e zhveshjes dhe sjelljet e paraqitjet e banerave të tifozëve në stadion me prezantimin e simboleve raciste dhe jo-sportive kundër Kosovës. Sjelljet e lojtarëve serb dhe tifozëve të tyre me këtë rast tentojnë të perçojnë ndjenjë të pasigurisë dhe luftërave, sidomos duke pasë parasyshë situatën e tanishme të brishtë të sigurisë në Evropë të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë.
Kjo nuk është hera e parë që veprimet e tilla lejohen nga Federata e Futbollit të Serbisë, rrjedhimisht ne si FFK kemi kërkuar nga organi disiplinor i FIFA-së që të ndërmerr masa ndaj federatës serbe dhe lojtarëve të tyre konform dispozitave të Kodit Disiplinor të FIFA-së.
Federata e Futbollit të Kosovës do të qëndroj fuqishëm pranë kërkesës së saj në mbrojtje të vlerave që përçon futbolli në përgjithësi dhe dinjitetit të futbollit të Kosovës në veçanti. Me këtë rast do të bashkëpunojmë fuqishëm me organet disiplinore të FIFA-së që t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore të ofruar nga Kodi Disiplinor dhe aktet tjera të FIFA-së në mënyrë që të mbrojmë sportin e futbollit dhe Kosovën, ku fuqishëm kërkojmë që të merren masa adekuate ndaj sjelljeve raciste dhe jo-sportive të lojtarëve dhe tifozërisë serbe.
