Tyson Fury e rreh Derek Chisoran për herë të tretë radhazi në një meç brutal, e mbron titullin e botës në WBC - NACIONALE

Tyson Fury e rreh Derek Chisoran për herë të tretë radhazi në një meç brutal, e mbron titullin e botës në WBC

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Tyson Fury ka arritur që ta mposhtë me lehtësi Derek Chisoran, pasi gjyqtari e ndërpreu meçin në raundin e dhjetë pasi Fury po e rrihte brutalisht Chisoran, kështu duke mbrojtur titullin WBC të kategorisë së rëndë, për t’i hapur rrugë një meçi me Oleksandr Usyk për unifikimin e titujve.

Kjo ishte ndeshja e tretë mes tyre, dhe të gjitha ndeshjet kësaj trilogjie i kanë takuar ‘Mbretit Gjipsi’.

Fury mban titullin WBC tash e një kohë, që kur e mposhti Deontay Wilder në shkurt të vitit 2020.

Sa i përket meçit, Chisora pothuajse asnjëherë nuk ishte i denjë për Furyn.

Ishte vetëm raundi i parë për të cilin mund të themi se ishte deri diku i barabartë, edhe pse Fury mori vetën në fund për të lëshuar goditjet e tij.

Raundi i dytë filloi me dominimin e kampionit, i cili bëri disa kombinime të bukura, duke futur në trekëndësh britanikun tjetër, por Chisora nuk u dorëzua edhe pse mezi po e mbanin këmbët.

Nga raundi i tretë, Fury shtriu dominimin në ring, me Chisoran që vetëm mbrohej vazhdimisht, por goditjet e Gipsy King nuk kishin kundërpërgjigje.

Chisora tentoi kthimin në ndeshje gjatë tre minutave të raundin të katërt, por të gjitha goditjet e tij u ndalën nga një mbrojtje e mirë e Furyt. Edhe ky raund i takoi Furyt, i cili në fund dha një goditje të mirë.

Raundi i pestë si të gjithë të tjerët i takoi Furyt, ai dha disa kombinime të bukura, por dy boksierët u tërhoqën drejt litarëve, për të evituar një nokaut. Gjyqtari dha vërejtjet e para për boksierët.

Chisora filloi të dukej i lodhur në raundin e gjashtë, duke mos pasur energji të dhurojë goditje, në anën tjetër Fury vazhdoi me grushtet e tij.

Në raundin e shtatë Chisora u duk ambicioz, ai tentoi që përmes disa goditjeve trupore ta çorientojë Furyn, por ky i fundit u kthye në ritëm, duke i kthyer dy goditje të forta.

Fury vazhdoi me goditjet e forta edhe në tre minutat e raundit të tetë, Chisoras i lëkundeshin këmbët nga lodhja.

Edhe pse i goditur shumë herë dhe i mavijosur në të gjithë fytyrën, Chisora nuk po dorëzohej as në raundin e nëntë. Fury fitoi bindshëm edhe këtu.

Raundi i dhjetë ishte fundi i takimit, gjyqtari i meçit e ndërpreu ndeshjen pasi Fury po e rrihte brutalisht Chisoran.

Titulli WBC i kategorisë së rëndë vazhdon të qëndrojë te Fury, që kur e morri nga viti 2020 dhe tani ai do të kërkojë të rimarrë përsëri të gjithë titujt me një meç ndaj Oleksandr Usyk, i cili mban tre titujt tjerë.

Lajme të ngjashme