Tyson Fury do të pensionohet, kjo është karriera e tij prej kampioni - NACIONALE

Tyson Fury do të pensionohet, kjo është karriera e tij prej kampioni

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Zotimi i Tyson Furyt për t’u pensionuar nga boksi profesional mund ta shënojë fundin, e, të paktën tani për tani, një karriere të jashtëzakonshme.

Ngritja, rënia dhe ngritja përsëri e tij mund të nënkuptojë përfundimin e karrierës së bujshme për boksierin britanik, i cili e mbrojti titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë në WBC me fitore kundër Dillian Whyte të shtunën.

Pas meçit, 33-vjeçari tha: “E dini, i pata premtuar gruas sime të dashur Paris se pas tri luftërave me [Deontay] Wilderin se kaq do të ishte, dhe e kisha njëmend. Ishte trilogji madhështore por e kisha përnjëmend.

M’u dha mundësia të luftoj në Wembley në shtëpi dhe besoja se ua kisha borxh tifozëve, çdo njeriu në Britani të Madhe, për të luftuar në Wembley. Mendoj se kjo është e tëra – kjo mund të jetë perdja e fundit për Gypsy King. Çfarë mënyre për t’u larguar”, tha Fury.

Rekordi i tij është 32 fitore nga 33 luftëra, si dhe një barazim i paharrueshëm në takimin e tij të parë me Deontay Wilderin.

Duke folur pasi e nokautoi Whyten në rundin e gjashtë, Fury nënvizoi: “E kam fituar çdo brez që mund të fitohet, nuk ka mbetur asgjë tjetër pa e fituar.”

“Po të ishte lojë kompjuterike kjo, do të ishte kompletuar patjetër, të jeni të sigurt.”

Se a do t’i varë dorëzat në gozhdë ai mbetet të shihet, sepse ka njerëz që parashikojnë se ai do të rikthehet në ring, por çfarëdo që të ndodhë, Fury gjithmonë do të shihet si figurë e njohur, e talentuar, karizmatike dhe kundërthënëse.

Boksieri më i mirë britanik në histori?

Pak njerëz kanë mundur ta parashikonin se Fury do të bëhej kampion i botës në kategorinë e rëndë kur ai ishte lindur tre muaj para kohe në vitin 1988, në lindje ai kishte peshuar vetëm 453 gramë dhe mjekët i kishin përshkruar si shumë të vogla mundësitë e tij për të mbijetuar.

Por ai u rrit në mesin e boksierëve në një familje të komunitetit të pakicës etnike irlandeze në Wythenshawe, Greater Manchester, dhe e fitoi medaljen e artë në Kampionatin Kombëtar Anglez 2008 si amator, si dhe medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Juniorëve si përfaqësues i Irlandës.

Trajneri i parë i Fury, Steve Agan, tha se e dinte se ai do të bëhej kampion i botës kur e kishte parë duke u futur në palestër si 14-vjeçar.

Por ishte befasi kur ndodhi, pasi Fury e shkaktoi njërën prej habive më të mëdha në kategorinë e rëndë duke e mposhtur atëherë kampionin e padiskutueshëm të botës, Wladimir Klitschko në vitin 2015.

Droga dhe depresioni

Një vit pas triumfit më të madh të tij, Fury po merrte drogë, po pinte alkool dhe po flinte me shpresën se nuk do të zgjohej kurrë më.

Ai kishte thënë se kishte qenë “në vendin më të keq që një njeri mund të shkojë” gjatë luftës së tij me depresionin.

Në vend se ta ndërtonte karrierën mbi fitoren ndaj Klitschkos, ai u rrëfye se e urrente boksin dhe përdorte kokainë. Ai i dorëzoi titujt e botës dhe doli pozitiv në testin për një steroid të ndaluar.

Fury kishte thënë se racizmi ndaj grupit minoritar irlandez i kishte nxitur disa prej reagimeve të tij kontroverse dhe kishte luajtur rol në vështirësitë e tij me shëndetin mendor, pasi kishte tentuar të bënte edhe vetëvrasje.

Gjatë asaj kohe, ai kërkoi falje pasi u kritikua për komentet që i kishte bërë ndaj grave dhe ndaj homoseksualëve.

Ai kishte shtuar peshë jashtëzakonisht shumë, por ia doli t’i shkrinte 63 kilogramë para se të rikthehej në ring në verën e vitit 2018. Në dhjetor të atij viti, ai e fitoi mundësinë e radhës për të luftuar për titullin e botës kundër amerikanit Wilder.

Triumfi në trilogjinë me Wilderin

Rikthimi i shquar i Furyt në majat e boksit botëror nënkuptoi se ai u desh t’i mbijetonte dy nokdaunëve brutale në luftën e parë me Wilderin.

Në njërin prej meçeve më drithëruese të boksit ndër vite, britaniku u rrëzua në rundin e nëntë dhe hodh në dysheme në mënyrën brutale në rundin e 12-të dhe mbeti i shtrirë në shpinë para se t’i merrte këmbët për të mbijetuar disi për dy minuta.

Wilderi po e festonte fitoren dhe lufta dukej se kishte mbaruar, por Fury u çua në këmbë para se gjyqtari ta mbaronte numërimin dhe e vazhdoi luftën.

Fury – dhe shumica e mediave pranë ringut – këmbëngulën se ai po fitonte me pikë para atij nokdauni dhe se, nëse ai do të kishte qëndruar në këmbë në tre minutat e fundit, titulli në ËBC do të kishte qenë i tiji.

Barazimi, sipas vendimit të ndarë të gjyqtarëve, nënkuptoi se ata do të takoheshin përsëri në shkurt 2020 dhe këtë herë kishin një fitues të pastër.

I pamposhturi Fury e bëri njërën prej paraqitjeve më shkatërrues në karrierën e tij për t’i dhënë fund mbizotërimit pesëvjeçar të Wilderi si kampion i botës në kategorinë e rëndë në WBC, me një nokaut në rundin e shtatë.

Wilderi e shfrytëzoi të drejtën për luftën e tretë dhe ata u takuan sërish në tetor 2021, në një luftë tjetër klasike.

Fury iu mbijetoi dy nokdaunëve për ta nokautuar në mënyrën mahnitëse Wilderin në rundin e 11-të dhe për t’i dhënë fund këtij kapitulli madhështor.

Lajme të ngjashme