Tuchel lë të kuptohet se Chelsea është e interesuar për Aubameyang
Trajneri i Chelseas, Thomas Tuchel, në konferencë për shtyp para ndeshjes me Leeds United, ka lënë të kuptohet se skuadra e tij është e interesuar për Pierre-Emerick Aubameyang në mënyrë të shtojë thellësinë në skuadër.
Gjermani vuri në dukje se një skuadër me thellësi më të madhe do t’i lejonte të kaltrit të konkurrojnë për trofetë kryesor, duke sugjeruar pronarët që të nënshkruajnë me më shumë lojtarë deri të mbyllet afati kalimtar veror.

Është raportuar se interesimi më i madh është për sulmuesin e Barcelonës, që ka pasur një përvojë mjaftë të mirë edhe në Premierligë me Arsenalin, pra bëhet fjalë për Aubameyang, që spekulimet e lidhin edhe me Manchester United.
A është e interesuar Chelsea të nënshkruajë me Aubameyang?
Edhe pse nuk bëri të ditur ndonjë emër, Tuchel la të kuptohet se skuadra e tij është duke shikuar për të transferuar akoma lojtarë në këtë afat kalimtar.

“Unë besoj se mund të konkurrojmë me këtë grup aktual që kemi, por është gjë tjetër që të luash një herë në javë dhe tjetër gjë të luash 60 ndeshje në vit dhe tre ndeshje në çdo javë”, thotë fillimisht Tuchel.
“Kemi nevojë të kemi lojtarë që konkurrojnë për pozitat e tyre dhe për minutat në fushë. Nuk është vetëm shpirti i skuadrës dhe taktikat, gjithashtu ka të bëjë edhe thellësia në skuadër dhe gara mes lojtarëve. Për sa kohë të është i hapur afati kalimtar, mundësitë janë të hapura. Fokusi ynë është në atë se çfarë kemi dhe jo në atë se çfarë mund të kemi”, ishin këto fjalët e trajnerit gjerman që la të kuptohet se sulmuesi gabonez mund të bëhet pjesë e të kaltërve.
Tuchel kishte disa fjalë edhe për Armando Brojën
Armando Broja u kthye te Chelsea pas huazimit të suksesshëm në sezonin që lamë pas në Southampton. Ai që nga kthimi është përballuar me lëndime dhe Tuchel ka thënë se nuk ka një plan të qartë për sulmuesin 20-vjeçar.

I pyetur se a e sheh Brojën si udhëheqës të sulmit, ai u përgjigj: “Po dhe jo. Ne dimë mjaftë për të, është tjetër gjë të paraqitesh mirë në një skuadër në huazim dhe tjetër në skuadër si Chelsea. Ai ishte i lënduar në fazën përgatitore dhe tani sërish është i lënduar, dhe kjo nuk na jep një pasqyrë të pastër se çfarë mund të na dhurojë ai neve. Mendoj se Armando ka një shans të madhe pranë vetës për të pasur ndikim në këtë skuadër.”