Tronditet Barcelona, Arabia Saudite e rrit në 500 milionë euro ofertën për Messin
Arabia Saudite e ka rritur në 500 milionë euro ofertën për Lionel Messin, duke ia vështirësuar Barcelonës përpjekjet për ta kthyer argjentinasin në Camp Nou.
Messi, 35 vjeç, do të jetë lojtar i lirë muajin e ardhshëm, kur do t’i mbarojë marrëveshja me Paris Saint-Germainin.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë nuk do ta vazhdojë marrëveshjen dyvjeçare me gjigantin francez.
Barcelona është duke punuar për ta kthyer Messin në klub gjatë verës, por po përballet me garë të fortë nga Arabia Saudite dhe MLS-ja në Shtetet e Bashkuara.
Raportohet se Al Hilali është i etur për të nënshkruar me argjentinasin, me ndihmën e shtetit saudit, në mënyrë që ta ribashkojë atë me rivalin e përbetuar Cristiano Ronaldo, që luan për rivalin e qytetit Al Nassr.
Cadena Ser shkroi të enjten se Messi e ka pranuar tani një ofertë prej gjysmë miliardi për vetëm një sezon.
Megjithatë, qëllimi i Messit është të kthehet te klubi ku i kaloi 21 vite karrierë dhe fitoi gjithçka që mund të fitohet në nivel klubi.

Babai dhe menaxheri i Messit, Jorge, bëri të ditur ditë më parë se fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën nuk do të vendosë për të ardhmen deri në fund të majit.
Barcelona e ka pranuar se është takuar me Messin dhe presidenti i klubit Joan Laporta zotuar se po bën gjithçka në dorën e tij për t’ua plotësuar ëndrrën tifozëve të klubit.
Megjithatë, katalonasit do t’i kenë disa pengesa për t’i kaluar para se të jetë në gjendje të nënshkruajë me shtatë herë fituesin e Topit të Artë.
Duke folur pasi Barcelona e fitoi titullin në Laliga 2022/23 në fundjavë, Laporta tha: “Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta kthyer Leo Messin në Barcelonë”.
“Leo është ende në Paris, në një gjendje të pakëndshme. Unë kam folur me Messin për ta ridrejtuar situatën. Ishte bisedë shumë e mirë. Ne i kemi ndrequr marrëdhëniet. Messi e do Barçën, e ndiej këtë klub sikur shtëpinë e vet”, shtoi ai.
