Triumfit të Ballkanit në Kupë të Kosovës ia shohin 'hajrin' edhe Llapi e Malisheva
Ballkani jo vetëm që gëzoi për herë të dytë brenda javës tifozët e saj me triumfin në Kupë të Kosovës, por suharekasit i bën nder edhe Llapit e Malishevës.
Kampioni i Kosovës në tri vitet e fundit, shtoi në kabinetin e saj edhe trofeun e Kupës së Kosovës, pasi triumfoi ndaj Prishtinës pas goditjeve të penalltive, për ta fituar për herë të parë në histori të klubit këtë trofe.
Ballkani do të jetë sërish skuadra kosovare që do të luajë në kualifikime të Ligës së Kampionëve, por kësaj skuadre hajrin ja panë Llapi e Malisheva.
Llapi që doli nënkampion i Kosovës, normalisht do të duhej të luante në kualifikime të Ligës së Konferencës, por pasi që fituesi i Kupës është Ballkani, ata tani do të luajnë në kualifikime të Ligës së Evropës.
Drita si vend i tretë luan në kualifikime të Ligës së Konferencës, ndërsa për herë të parë në kualifikime do të jetë Malisheva, që do të marrë pjesë po në atë garë, pasi Prishtina nuk arriti të fitonte.
Pra, kampionatin kosovar në kualifikime të garave evropiane për sezonin 2024/25 do ta përfaqësojnë katër skuadra, arritje kjo kryesisht për shkak të suksese të mëdha të Ballkanit, që në dy vite radhazi u kualifikua në grupe të Ligës së Konferencës.