Trepça fiton përballjen e katërt gjysmëfinale ndaj Prishtinës - NACIONALE

Trepça fiton përballjen e katërt gjysmëfinale ndaj Prishtinës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trepça ka shënuar fitore në ndeshjen e katërt gjysmëfinale duke e mposhtur Sigal Prishtinën me rezultat të ngushtë 82:77 (20:22, 20:16, 24:25, 18:14).

Ndeshja ishte tejet e barabartë mes dy rivalëve të vjetër, me skuadrën mitrovicase që shijoi fitoren në fund.

Prishtina arriti ta fitojë çerekun e parë me një tre pikësh në sekondin e fundit, që përfundoi me rezultat 20:22. Trepça u këndell menjëherë në çerekun e dytë duke e përfunduar me katër pikë epërsi 20:16, apo përndryshe rezultati i pjesës së parë doli të jetë 40:38 për vendasit.

Dy rivalët e vjetër vazhduan të japin më të mirën edhe në 20 minutëshat e fundit, me çerekun e tretë që ishte i hatashëm e përfundoi me rezultat 24:25 në të mirë të 'bardhëkaltërve'.

Mirëpo, në çerekun vendimtar Trepça tregoi fytyrë tjetër duke fituar me katër pikë dallim dhe njëkohësisht duke e mposhtur në ndeshjen e katërt gjysmëfinale për të barazuar serinë 2:2.

Më i dalluari te Trepça ishte Brown me plot 21 pikë ndjekur nga Artis me 16 pikë, derisa dëshpëroi keq Erjon Kastrati me vetëm tre pikë për 24 minuta e 20 sekonda sa ishte në fushë.

Në anën tjetër, te Prishtina u dallua "snajperi" Dardan Berisha me 23 pikë (5 tre pikësha) dhe Wilson me 18 pikë.

Përballja e fundit ku do të mësohet edhe finalisti që do të përballet me Pejën, do të zhvillohet në Prishtinë.

Lajme të ngjashme