Trepça e tregon forcën e vërtetë ndaj Bashkimit, Arpagjikët pësojnë humbjen e parë sezonale
KB Bashkimi e ka pësuar humbjen e parë sezonale në Superligën e Kosovës, duke u mposhtur me rezultat të thellë nga kampioni në fuqi, KB Trepça.
Skuadra mitrovicase triumfoi me rezultat 82:52, duke qenë gjatë tërë takimit larg më e mirë në parket.
Çereku i parë u fitua bindshëm nga skuadra e Adis Beciragic, me rezultat 24:7.
Paraqitjen e mirë Trepça e vazhdoi edhe në 10 minutat në vijim, duke fituar 22:16, për të shkuar në pushim me 23 pikë epërsi apo rezultat të përgjithshëm 46:23.
Kampioni në fuqi i Kosovës e vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë. Fillimisht e fituan çerekun e tretë 19:13, për ta çuar epërsinë në 29 pikë, teksa në 10 minutat e fundit fituan 17:16.
Në fund, Trepça e fitoi takimin me 30 pikë epërsi, apo 82:52.
Thomas e Johnson u dalluan sot me nga 15 pikë te mitrovicasit, teksa Tmusic shënoi 12 pikë, Hunter 11, e Barro i shtoi nëntë sosh.
Te Bashkimi nuk ishin në disponim për lojë të zakonshmit. Lejson Zeqiri shënoi vetëm tetë pikë, ku për gjuajtjet për dy pikë kishte saktësi 20% apo 1 shënim nga tetë tentime.
Trepça tani shkon në kuotën e 14 pikëve në Superligë, duke çuar në pesë numrin e fitoreve, krahas edhe dy humbjeve. Në anën tjetër, Bashkimi, që ishte skuadra e vetme pa humbje në elitën e basketbollit kosovar, sot e pësoi të parën, por që mbetet në vendin e parë.