Trepça e Bashkimi triumfojnë në udhëtim siç pritej, afër ta sigurojnë gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës
KB Trepça dhe Bashkimi kanë fituar ndeshjet e para çerekfinale ashtu siç pritej dhe janë shumë afër për të konfirmuar vendin e tyre në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Trepça fitoi në udhëtim te Proton Cable Prizreni me rezultat 91:73.
Kampioni i Kosovës dominoi tre nga katër çerekët e zhvilluar në Sezai Surroi.
Pesë lojtarë të Trepçës patën pikë dyshifrore, me Dardan Kapitin që u dallua me 20 pikë.
Mikaile Tmusic shënoi 16, Cambridge 14, Hunter 13 dhe Drilon Hajrizi kontribuoi me 11 pikë në rikthimin e tij në basketboll pas një mungese të gjatë.
Jordan Johnson shkëlqeu te Proton Cable duke shënuar 30 pikë në këtë përballje. Ai u ndihmua nga Smirth Jr me 11 pikë, e 15 pikë shtoi Jamaleddine.
Me këtë fitore, Trepça i afrohet kualifikimit në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, me ndeshjen kthyese që do të zhvillohet në Minatori, Mitrovicë.

Përballja tjetër çerekfinale ishte mes Borës dhe Bashkimit.
Mysafirët morën fitore me rezultat 88:66, pas paraqitjes fantastike të Mack Smith me 20 pikë, ku ishte i saktë në 100% të gjuajtjeve të tij nga të gjitha distancat.
Bashkimi me këtë fitore, në shtëpi do ta ketë më lehtë në ndeshjen kthyese për të konfirmuar vendin e saj në gjysmëfinale.
Kujtojmë se ndeshjet e para çerekfinale i kanë fituar edhe Peja e Vëllaznimi, që mposhën Prishtinën e Yllin, respektivisht.