Trajneri që dyshohet se e sulmoi gjyqtaren: Ma ofendoi vajzën, e kisha personale - NACIONALE

Trajneri që dyshohet se e sulmoi gjyqtaren: Ma ofendoi vajzën, e kisha personale

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i KB Sfera, Virgjil Mangjolli, e ka mohuar se e kishte sulmuar fizikisht një gjyqtare gjatë një ndeshjeje basketboll të dielën, por e ka pranuar se ishte fjalosur me të, për siç tha, çështjeje personale që nuk kanë të bëjnë me lojën.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur në një ndeshje të 16-vjeçarëve mes KB Sferës dhe KB Vëllaznimit më 27 nëntor në Skënderaj.

Policia në Rajonin e Mitrovicës nuk ka mundur ta konfirmojë rastin për Nacionalen.

Gazeta Sinjali raportoi gjatë ditës se është hapur rast ndaj Mangjollit për sulm fizik ndaj një gjyqtareje.

Mangjolli e ka mohuar sulmin i pyetur nga Gazeta Nacionale, megjithëse e ka pranuar se mes tij dhe gjyqtares ka pasur përleshje verbale.

“Unë jam trajneri, e përfaqësoj ekipin, kjo është shpifje e kësaj gjyqtares. Realisht ka ndodh diçka shumë personale mes asaj edhe meje, ajo më ka ofenduar diçka mu në fillim, edhe ka vazhduar me ofendime gjatë tanë kohës, mandej më ka largu prej ndeshjes edhe kështu ka përfunduar. Është shpifje totale e saj, unë duhet me u marr me këtë punë edhe me padit. Aty ka pasë dëshmitarë, lojtarët e skuadrës së Vëllaznimit, lojtarët tanë, mbi 50-60 tifozë, nuk ka pasë domethënë diçka të fshehtë, ka dëshmitar të mjaftueshëm për këtë rast, kjo është shpifje e trilluar prej saj. As prekë me dore s'e kom, hiç. Për fjalë po është e vërtet edhe unë ata edhe ajo mu. Por kjo është krejt çështje personale edhe nuk ka pas të bëjë me lojë.”

Tutje trajneri dhe përfaqësuesi i klubit ka treguar se çfarë e ka dërguar ngjarjen deri në atë masë, duke thënë se nuk ka pasur asgjë të bëjë me lojën, por për krejt diçka personale.

“Rasti ka filluar kur çika jem ka hi ne fushë, ajo është 6-vjeçare, unë s’e kam vërejt që ajo u hi në fushë edhe gjyqtarja ka reaguar shumë keq, edhe e ka ofenduar çikën time, qitu ka filluar rasti. Është shpifje që ka thanë që rasti ka ndodh për faull, kjo është çështje personale. Edhe nëse kane thanë që ka pas sulme fizike është shpifje totale. Për fjalë të ndërsjella, unë e konfirmoj që ka pas prej dy anëve, se ka filluar për shkak të një fëmije që unë s’e kam pa. Unë as ankesë në federatë nuk kam bërë për këtë punë. Trajneri i KB Vëllaznimit, Pal Syla, mundet ta dëshmojë këtë se çfarë po e them.”

Mangjolli ka thënë se zgjidhja reale e kësaj ngjarje të keqe është që gjyqtarja e takimit mos të delegohet më në ndeshjet e tyre, ashtu siç kanë kërkuar nga Federata.

“Nuk jam tranu që ta sulmojë dikën, zgjidhja e këtij problemi është që ajo gjyqtare mos të delegohet në ndeshjet tona, ashtu siç kemi kërkuar ne nga federata.”

Ky rast vjen vetëm pas disa rasteve të njëpasnjëshme që po ndodhin në nivelin më të lartë të basketbollit në vend, me rastin e fundit që ishte në ndeshjen mes Trepçës e Pejës, ku basketbollistët mysafir u sulmuan nga disa tifozë.

Lajme të ngjashme