Trajneri i Spanjës i ashpër: S’ka mëshirë në futboll, duam fitore
Përzgjedhësi i Spanjës Luis de la Fuente ka treguar haptas se nuk iu intereson nëse e eliminojnë Shqipërinë, pavarësisht që kanë avancuar në fazën e eliminimit direkt.
Spanja pritet të pushojë disa nga yjet kryesorë në përballjen me “Kuq e Zinjtë”, megjithatë objektivi mbetet fitorja.
Në një intervistë për “TV Klan”, La Fuente tregoi respekt për Shqipërinë mirëpo synimi mbetet vetëm triumfi.
“Duke njohur mirë Shqipërinë, nuk është se jemi befasuar shumë. E dimë që është një skuadër që është rritur shumë, që ka shumë potencial dhe futbollistë shumë të mirë. Ka një trajner shumë të mirë dhe mund të jetë një surprizë e madhe në këtë kampionat evropian”.
“Mëshira në futboll nuk duhet të ekzistojë. Ne kemi respekt maksimal për Shqipërinë. Kam parë që potenciali i Shqipërisë mund të befasojë çdo rival dhe e kam parë gjatë këtyre dy ndeshjeve. Duhet një përqendrim maksimal nga fillimi deri në fund. Nesër shpresoj të jetë një ndeshje e mirë dhe shpresojmë të fitojmë. Do të jetë një spektakël i vërtetë dhe një ndeshje e jashtëzakonshme për t’u parë”.
Përndryshe, përballja mes Spanjës dhe Shqipërisë zhvillohet të hënën me fillim nga ora 21:00.