Trajneri i Sevillas: Duhet të kemi kujdes me Muriqin, duhet ta lëmë larg portës sonë
Jorge Sampaoli ka folur në konferencë për shtyp për ndeshjen kundër Mallorcas, që do të luhet nesër. Ai ka bërë thirrje që lojtarët e tij të kenë një kujdes të shtuar dhe të veçantë te Vedat Muriqi.
Trajneri i Sevillas e ka të qartë se cilat janë rreziqet më të mëdha që mund t’i kanosen kundër Mallorcas në ndeshjen që do të luhet nesër mbrëma. Pikërisht Vedat Muriqin e sheh si një lojtar tek i cili duhet mobilizuar që mos të vihet shpesh me kontakt me topin dhe assesi kjo të mos ndodhë brenda zonës së rreptësisë.
“Kanë Muriqin që hap shumë mirë lojën dhe dërgon topin në dy krahët e anësorëve, të cilët mjaft mirë i përfundojnë aksionet me harkimet e tyre. Muriqi duhet të lihet shumë larg prej portës sonë dhe kjo do të ndodhë duke pasur ne mbizotërimin në lojë”, tha ai.

Këto deklarata të ish-përzgjedhësit të Argjentinës vijnë pas një sezoni shumë të mirë që është duke e zhvilluar sulmuesi “dardan” me skuadrën ishullore spanjolle. Ai ishte protagonist absolut në fitoren e fundit të madhe që arkëtoi Mallorca kundër Real Madridit, me ç’rast u shpall edhe lojtari i ndeshjes.
28-vjeçari nga Prizreni ka shënuar 8 gola në kampionat. Ai ka qenë vazhdimisht pikë referuese për sulmin e skuadrës, duke arritur që t’i kanalizojë në mënyrën më të përsosur topat që janë shërbyer në drejtim të tij.
Transferimi nga Lazio në Mallorca i ka dhënë një besim të ri atij, diçka që në kryeqendrën italiane i kishte munguar. Kështu përfaqësuesi kosovar ka rigjetur edhe nuhatjen e golit, gjë që e ka karakterizuar gjatë tërë karrierës së tij.
