Trajneri i ri i Inter Miamit: Messi nuk ka ardhur këtu për pushime
Trajneri i ri i Inter Miamit, Gerardo Martino, ka këmbëngulur se ai dhe blerjet e reja të klubit, Lionel Messi dhe Sergio Busquets, nuk kanë shkuar në South Beach dhe MLS për pushime.
Martino nënshkroi me Miamin të mërkurën, ku do të ribashkohet me Messin dhe Busquetsin, të cilët i kishte trajnuar më parë në Barcelonë.
“Kur biseduam me Leon, dje fola me Sergion, ne folëm se po vijmë këtu për të korrur suksese, për të garuar dhe garuar mirë bile”, tha Martino gjatë konferencës së parë si trajner i Miamit të enjten.
“Kjo na ndodh neve edhe në nivel personal, nganjëherë ne i lidhim Shtetet e Bashkuara, Miamin, me pushime – ne nuk jemi këtu për këtë. Ne duam të garojmë. Ata nuk janë futbollistë të cilët vijnë këtu për të mos garuar”, këmbënguli ai.
Në fillim të këtij muaji, Messi njoftoi se vendosi t’i bashkohet Miamit, dhe një javë më vonë mesfushori spanjoll Busquets njoftoi se edhe ai po i bashkohej klubit të MLS-së.
Martino ishte trajnerë i të dyve nga viti 2013 deri më 2014. Ai ishte trajner i Messit edhe nga viti 2014 deri më 2016 në Kombëtaren e Argjentinës.
Megjithatë, Martino, i cili kthehet në MLS pasi e kishte udhëhequr Atlanta Unitedin në sezonet 2017 dhe 2018, tha se bisedimet me Miamin i kishte nisur para se Messi dhe Busquets t’i bashkoheshin klubit.
“Bisedimet i nisa para (se Messi dhe Busquets të vinin). Kjo mundësi gjithmonë m’u ka dukur atraktive.. të themi se dhuratat vijnë pastaj”, shtoi ai.
