Trajneri i Dortmundit, Terzic: Nuk na intereson që Real Madridi është favorit
Trajneri i Borussia Dortmundit, Edin Terzic, është zotuar se skuadra e tij nuk ka bërë gjithë këtë rrugëtim fantastik vetëm për të qenë dëshmitarë kur Real Madridi e fiton trofeun e 15-të të Ligës së Kampionëve, duke shtuar se do të mundohen deri në fund për një befasi të ëmbël.
Dortmundi përfundoi në vendin e pestë në Bundesligë këtë sezon dhe pakkush do t'u kishte dhënë atyre shumë shpresë për të arritur në finalen e parë të Ligës së Kampionëve që nga viti 2013, kur Wembley gjithashtu priti humbjen e tyre kundër favoritëve Bayern Munich.
Por skuadra e Terzicit befasoi Atletico Madridin në një përballje fantastike çerekfinale dhe më pas siguruan një finale të madhe pasi mundën Paris Saint-Germain 1:0 në të dyja ndeshjet e gjysmëfinales.
"Ne jemi gati të garojmë në nivelin më të lartë," tha Terzic. "Ndoshta nëse luan 10 herë kundër Real Madridit, është shumë e vështirë. Nëse luan 34 herë, është e pamundur. Por nëse është vetëm një ndeshje, një finale, gjithçka është e mundur. Është e qartë se ata kanë një rol si favorit. Nuk na intereson. Ne nuk ishim favoritë as ndaj Atleticos apo Parisit."
Terzic, i cili do të përballet me trajnerin që ka për model, Carlo Ancelotti, po fliste me gazetarët përpara se të drejtonte një seancë stërvitore në terrenin neutral në veriperëndim të Londrës.
“Ju nuk luani një finale, ju fitoni një finale dhe ky është qëllimi ynë i qartë”, shtoi ai.
“Ne jemi të lumtur që jemi këtu, por duhet të fitojmë në Wembley Stadium kundër Real Madridit, për ta mbajtur atë trofe në duart tona”.