Trajneri i Chelseat Tuchel e pranon: Nuk jemi të gatshëm për sezonin e ri - NACIONALE

Trajneri i Chelseat Tuchel e pranon: Nuk jemi të gatshëm për sezonin e ri

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, e ka pranuar se skuadra e tij është e papërgatitur për sezonin e ri 2022/23, pas një fushate parasezonale në Amerikë të cilën e përshkroi si tejet dërrmuese dhe të lodhshme.

Të kaltrit e përfunduan turin dyjavor në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar dhe i shënuan dy fitore kundër Udinesës në Itali këtë fundjavë, 3:1 të premten dhe 2:0 të shtunën.

Por duket se trajneri gjerman ende nuk e ka harruar turin turbulent në Amerikë, ku skuadra e tij i pësoi dy humbje tronditëse, 5:3 kundër Charlotte në penallti dhe 4:0 nga rivali londinez Arsenali, pas një fitoreje të vetme kundër Club America me rezultat të ngushtë 2:1.

Dhe tani Tuchel është i shqetësuar se faza parasezonale e ka lënë Chelsean të papërgatitur për ndeshjen hapëse të sezonit në Premierligë, të shtunën kundër Evertonit.

“Ishte një fushatë e gjatë parasezonale. Lodhja dhe dërrmimi nga udhëtimi në SHBA kaq gjatë, sidomos pasi edhe sot udhëtuam në këto rrethana nuk është e lehtë”, tha Tuchel.

“Pas kësaj fundjave, ne nuk do të përgatitemi për asgjë tjetër pos Evertonit. Sezoni është para derës. Ka shumë gjëra pozitive por ne duhet të përmirësohemi”, nënvizoi ai.

Tuchel shtoi: “Ne nuk jemi gati ende. Nuk kemi pse të jemi gati akoma. E kemi edhe një javë dhe atëherë do të jetë koha për të qenë në nivelin më të mirë. Është gjithmonë mirë kur nis vjen sezoni”.

Derisa Tuchel ka punuar për t’i futur blerjet e reja Raheem Sterling dhe Kalidou Koulibaly në sistemin e lojës së tij, drejtuesit e klubit kanë hasur në vështirësi të mëdha për të arritur marrëveshje me lojtarë të tjerë të rëndësishëm.

Edhe pse kishin bërë oferta të majme për Jules Kounden e Sevillës dhe Raphinhan e Leeds, ata e refuzuan Chelsean për Barcelonën.

Lajme të ngjashme