Trajneri i Bayernit Tuchel e fajëson fushën dhe gjyqtarin për eliminimin nga Liga e Kampionëve
Thomas Tuchel e ka fajësuar gjyqtarin Clement Turpin dhe fushën në Allianz Arena për barazimin e skuadrës së tij Bayern Munich me Manchester Cityn, i cili i kushtoi me eliminim nga Liga e Kampionëve të mërkurën.
Edhe pse ishte i vetëdijshëm për disfatën 3:0 në ndeshjen e parë çerekfinale kundër City në Etihad, Bayerni nuk mundi të bëjë më shumë se një barazim 1:1 në ndeshjen e kthimit në Munih për ta shmangur eliminimin.
Tuchel u përjashtua me karton të kuq nga gjyqtari Turpin dhe u detyrua të ulej në tribunë në mesin e tifozëve.
Pas ndeshjes, trajneri gjerman nuk e kurseu Turpinin nga kritikat dhe as gjendjen e fushës së klubit të vet.
“Dy gjëra nuk ishin në nivel sot: fusha dhe gjyqtari. Atij do t’i jepja notën 6 (më të keqen të mundshme), për vendimet e tij nga i pari deri te i fundit. Unë as që e pashë faullin në penalltinë që na e dha neve”, tha Tuchel.

Turpin i ndau pesë kartonë të verdhë në pjesën e parë dhe një të kuq direkt për Dayot Upamecano për një ndërhyrje ndaj Erling Haalandit si lojtari i fundit, por VAR-i e shpëtoi mbrojtësin francez nga largimi prej lojës. Për më tepër, fillimi i ndeshjes u vonua pasi gjyqtari kishte telashe me dëgjuesen e veshit.
Pasi u eliminua nga Kupa e Gjermanisë dhe Liga e Kampionëve, Bayernit i mbetet tani vetëm të përqendrohet në Bundesligë, ku është lider me dy pikë epërsi.
