Trajneri i Arsenalit me paralajmërim serioz për Granit Xhakën me shokë
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, iu ka bërë thirrje futbollistëve të vet se duhet të përmirësohen tejet shumë nëse duan të vazhdojnë t’i fitojnë ndeshjet, pas barazimit të mundimshëm kundër Sporting Lisbonës në Ligën e Evropës të enjten.
Arsenali, që ndeshjen e nisi më gjashtë ndryshime në formacion mbrëmë, kaloi në epërsi kur William Saliba shënoi në minutën e 22-të, por e gjeti veten duke humbur shumë shpejt, pasi Goncalo Inacio dhe Paulunho shënuan nga një herë për ekipin portugez.
Topçinjtë mezi e barazuan rezultatin në 2:2 dhe atë falë një autogoli nga Hidemasa Morita, i cili padashje e futi topin në rrjetën e portës së vet pas një harkimi të Granit Xhakës.
Arteta ishte i pakënaqur që skuadra e tij i pranoi nga dy gola në dy ndeshje radhazi, pasi edhe kundër Bournemouthit kishte qenë në disavantazhin e dy golave fundjavën e kaluar në Premierligë.
“Është e vërtet se është diçka që ne duhet patjetër ta përmirësojmë tejet shumë, nëse duam ta vazhdojmë të fitojmë ndeshje”, tha Arteta për BT Sport.
“Kur i pranon dy gola aq dobët siç e pranuam ne edhe në shtëpi në Evropë, është e vështirë të marrësh rezultat të mirë. Ne humbëm shumë topa të thjeshtë”, nënvizoi ai.

Trajneri spanjoll ishte veçanërisht kritik ndaj mënyrës se si skuadra e tij u mbrojt kundër ekipit vendas në Portugali.
Ai shtoi: “Sot ne nuk u mbrojtëm mjaftueshëm mirë, dhe duhet të jemi edhe më të mirë në sulm ndaj kundërshtarëve tanë”.
Ndeshja e kthimit e një të tetës së finales mes Arsenalit dhe Sportingut do të luhet më 16 mars në Emirates në Londër.
Lideri i Premierligës, që ka pesë pikë më shumë se vendi i dytë Manchester City, luan kundër Fulhamit në udhëtim të dielën.
