Trajneri Arsim Thaçi jep dorëheqje nga Drita
Trajneri i Dritës, Arsim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga skuadra gjilanase, një ditë pas barazimit me Dukagjinin.
Thaçi, 51 vjeç, ishte emëruar në janar dhe largohet vetëm katër muaj më vonë, çuditërisht kur skuadra është ende në garë për titull.
Drita njoftoi në Facebook se vendimi ishte i trajnerit, pavarësisht kërkesës së klubit për të vazhduar bashkë.
“I pakënaqur me rezultatet e deritanishme, treneri Thaqi sot kërkoi takim me kryesin e klubit për ofruar dorheqjen e tij. Pas shumë diskutimiteve kryesia e klubit i ofroj trenerit mbeshtetje për vazhdimin e rrugetimit drejt synimit të klubit por që treneri ishte i vendosur për këtë vendim dhe kryesia e klubit u detyrua ta respektoj vendimin e trenerit Arsim Thaqi për të ja pranuar dorëheqjen”, thuhet në njoftim.
Barazimi me Dukagjinin bëri që klubi gjilanas ta humbë vendin e parë në garë për titull në Superligë, pas fitores së Ballkanit kundër Drenicës.
Drita e kishte kryesuar ligën për pjesën më të madhe të sezonit, por tani ngel një pikë mbrapa liderit të ri dhe kampionit në fuqi.
Ky ishte barazimi i dytë radhazi, pas atij më Trepçën '89, dhe i treti në pesë ndeshjet e fundit në Superligë për kaltërebardhët.
Drita nuk ka treguar se kush do ta udhëheqë skuadrën, apo nëse do të emërojë trajner të ri për pjesën e mbetur të sezonit.