Tottenhami ‘arrë e fortë’ për Manchester Unitedin, ‘Spurs’ shënon fitore komode ndaj ‘Djajve të Kuq’ - NACIONALE

Tottenhami ‘arrë e fortë’ për Manchester Unitedin, ‘Spurs’ shënon fitore komode ndaj ‘Djajve të Kuq’

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Manchester Unitedi ka pësuar humbjen e parë qysh në javën e dytë të sezonit të ri të Premierligës. Ata u mposhtën nga Tottenham Hotspur me rezultat të pastër 2:0.

Djajtë e kuq edhe pse fituan në ndeshjen e parë ndaj Wolves, nuk bindën edhe aq me ndeshjen e zhvilluar, madje në pjesën më të madhe të takimit u dominuan nga ‘Ujqërit’, që ishte tregues i mirë për fuqinë reale të skuadrës së Erik ten Hag.

Spurs në anën tjetër erdhën nga një barazim në javën e parë me Brentford, duke bërë një paraqitje tejet të mirë sot, mbi të gjitha pa pranuar gol.

Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndonëse kishte raste të bollshme për të dyja skuadrat.

Në 45 minutat e fundit, skuadra e Postecoglout i tregoi vendin Manchester Unitedit.

Zhvillohej minuta e 48-të kur Dejan Kulusevski depërtoi deri në thellësi të zonës, për të harkuar më pas, me topin që shkoi te këmbët e Pape Matar Sarr, që gjeti golin për 1:0.

Goli i sigurisë për Spurs u shënua në minutën e 83-të kur mbrojtësi Martinez i djajve të kuq shënoi në kahun e kundërt për 2:0, duke tentuar ta largojë topin nga zona.

Ky doli të ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes, me skuadrën e Ten Hag që zhgënjeu në fushë me paraqitje tejet të dobët.

Tottenhami tani shkon në kuotën e katër pikëve pas dy ndeshjeve të para, ndërsa Manchester United mbetet me një fitore e një humbje.

Lajme të ngjashme