Torino konsideron Mërgim Vojvodën pikë referimi për të ardhmen e klubit - NACIONALE

Torino konsideron Mërgim Vojvodën pikë referimi për të ardhmen e klubit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mërgim Vojvoda po kalon në sezonin e tij më të mirë si futbollist. Ai ka arritur ta fitojë besimin e trajnerit kroat, Ivan Juric, për ta konsoliduar pozitën e titullarit në ekipin e tij. Tani kur presidenti i klubit të Torinos, Urbano Cairo, si dhe drejtori sportiv i klubit, Davide Vagnati, po e bëjnë gati projektin e skuadrës për të ardhmen në bashkëpunim me trajnerin Juric - mbrojtësi dardan figuron në epiqendër të planeve të klubit, si i stërkonfirmuar.

Torino ka filluar të mendojë për sezonin e ardhshëm dhe sezonet tjera që do të vijnë. Në bazë të informatave që ka siguruar e përditshmja më e madhe sportive italiane, La Gazzetta Dello Sport, që tani janë duke u shqyrtuar emrat e lojtarëve që do të konfirmohen në skuadër, të atyre që do të jenë shtyllë e projektit dhe të tjerëve që do të largohen me pajtim të dyanshëm.

Në rastin e mbrojtësit dardan, ai zotëron shumë pëlqim në ambientin e klubit granata. Për reporterin e afërt me klubin e Torinos, Mario Pagliara të gazetës italiane sportive në fjalë, nuk ka asnjë vend për dyshim, pasi projekti i ri do të koncentrohet me Mërgim Vojvodën pjesë integrale të tij dhe jo vetëm, por edhe si pikë referimi.

"Pak a shumë para një viti fillonte shkëlqimi i Vojvodës, veçmas në momentin kur bindte ish-trajnerin e Torinos, Davide Nicola (që të shtunën do ta ketë si kundërshtar në sfidën ndaj Salernitanës) që t'i jepte hapësirë. Luante në krahun e djathtë të mbrojtjes. Alternohej me Singon. Momentin më të mirë e pati në ndeshjen ndaj Hellas Veronës, më 9 maj të vitit të kaluar, pikërisht para syve të Ivan Juric, kur atëherë ishte trajner i klubit nga Veneto. Para syve të tij, Mërgimi shënonte golin e dytë radhazi, pas atij që kishte shënuar më herët ndaj Parmës. Prej një basti që konsiderohej, në një zbulim, duke ndryshuar shumëçka tek ai, përfshirë edhe pozicionimi. I konfirmuar? Edhe më shumë se kaq!

"Ivan Juric tani pret nga ai të bëjë hapa të mëtejm, duke përmirësuar veten deri në përfundim të sezonit. Gjithashtu, ai është njëri prej kandidatëve kyç që pritet t'i bartet barra për projektin e skuadrës në lidhje me sezonin e ardhshëm", përfundoi ai.

Dy nga lojtarët të cilët vazhdimisht e konkurrojnë Mërgim Vojvodën për pozitën e anësorit të majtë, Cristian Ansaldi dhe Ola Aina, janë me një këmbë jashtë klubit që tani. I pari për shkak të moshës së shtyrë si futbollist. Mbrojtësi 35-vjeçar argjentinas, Ansaldi, i cili në muajin shtator do t'i mbush 36 vjeç, nuk figuron më në planet e trajnerit Juric dhe me kontratën e tij që skadon gjatë kësaj vere, ai pritet të largohet me parametra zero. Në dyshim gjithashtu është edhe e ardhmja e Ola Ainas. Në dhjetë ndeshjet e fazës së dytë të kampionatit, asnjëherë nuk ka zbritur në fushë. Kontrata e mbrojtësit nigerian skadon vitin e ardhshëm.

Kështu, Mërgim Vojvoda preferohet para dy bashkëlojtarëve të tij që janë rivalë për të njëjten pozitë. Mbrojtësi 27-vjeçar kosovar ka kontratë të vlefshme edhe për dy vite me klubin e Torinos. Tani për të do të jetë një fillim i ri, me drejtuesit e klubit që projektin e ri e përqendrojnë duke u bazuar edhe tek ai. Një vlerësim ky maksimal, që i jep siguri dhe garanci shtesë mbrojtësit kosovar.

Kujtojmë që prej gjysmës së muajit nëntor, sa herë ka qenë i gatshëm të grumbullohet me skuadrën e tij, gjithmonë ka luajtur nga minuta e parë, duke u preferuar si alternativë e parë, për të regjistruar 15 paraqitje si startues.

Me kombëtaren e Kosovës në dy ndeshjet e fundit miqësore, ai luajti në krahun e majtë të mbrojtjes, njësoj siç ishte paraqitur më herët edhe ndaj Spanjës në Prishtinë, kur dardanët pësonin humbje me rezultat 0 me 2.

Nëse kemi parasysh mungesën e Leart Paqaradës, e cila është e paqartë se për sa kohë do të vazhdojë, nuk është pistë për t'u përjashtuar nëse Mërgim Vojvoda karrierën në vazhdim do ta koncentrojë si në nivel klubi, ashtu edhe në atë kombëtareje, si mbrojtës i krahut të majtë.

Për mbamendje, mbrojtësi nga Skenderaj, Vojvoda, në fillimet e tij të karrierës kishte filluar të luante si qendërmbrojtës gjatë kohës kur ishte kadet në Standard Liege, për t'u zhvendosur më pastaj në mbrojtës të krahut të djathtë kur u zhvillua si lojtar senior profesionist, për të kaluar së voni në anësor të majtë.

Lajme të ngjashme