Tomori i sigurt: Te Leao shoh që ka paksa klasin e Henryt
Fikayo Tomori prej që është transferuar te Milani ka qenë njëri prej shtyllave kryesore të ekipit. Ai është intervistuar nga “StarCasinòSport”, ku ka folur rreth klubit dhe bashkëlojtarit të tij, Rafael Leao.
Me të në 11-shen titullare Milani është ndjerë më i sigurt dhe ka ndihmuar që t’i japë një stabilitet ekipit në mbrojtje.
Tomori e ka gjetur mjaft mirë veten në Serie A dhe te Milani, duke fituar edhe titullin kampion 2021/2022. Ai ka folur për bashkëlojtarët e tij, për të cilët ka pasur fjalë miradije.
Për mbrojtësin anglez Milani është një familje e madhe: “Në skuadër kam krijuar lidhje me të gjithë. Milani është një familje.”
Ndërsa kur u pyet për Rafael Leaon, ai shprehi fjalë të mëdha, duke e konsideruar atë me njërin prej ikonave më të mëdha të futbollit.
“Rafa është lojtari që më ka befasuar më së shumti. Tek ai shoh që ka paksa klasin e Thierry Henryt. Ai është kaq i fortë sa që as që e ka kuptuar potencialin e tij të njëmendtë”, nënvizoi ai.
Elozhe për Ibrahimovichin dhe tre sulmuesit më të vështirë për t’i mbuluar
Përfaqësuesi anglez është pyetur rreth sekreteve për titullin e fituar në Serie A gjatë sezonit të kaluar, kur Milani nuk shihej si favorit.
“Jam munduar të rrija i qetë dhe të mendoja ndeshje pas ndeshje. Kjo ka qenë edhe qasja e të gjithë skuadrës, pasi shumica nga ne nuk kishim përvojë me situatë të tillë”, shtoi ai.
Tomori pranoi se një personalitet si Ibrahimovic ka luajtur rol pozitiv brenda grupit të lojtarëve, duke qenë si pikë referimi edhe për lojtarët tjerë, anipse kishte kohë që nuk ishte në gatishmëri për të luajtur për shkak të lëndimeve të njëpasnjëshme.
“Kemi mësuar shumë nga Ibrahimovic. Pas ndeshjes kundër Lazios diçka është ndezur te ne. Aty e kemi kuptuar se po, e kishim atë zjarrin brenda vetes, mentalitetin dhe urinë për të fituar”, tha ai.
Tomori është qendërmbrojtës. Meqë roli që mbulon ai është të ketë punë me sulmuesit kundërshtarë, ai përmendi tre sulmuesit më të vështirë për të luajtur ndaj tyre.
“Mund t’jua përmendi tre. Lautaro, sepse gjen shumë lëvizje të ndryshme për të të vendosur në vështirësi. Abraham, sepse më njeh shumë mirë dhe prej shumë e kohësh. Vlahovic, sepse me strukturën e tij fizike është i vështirë që ta përballosh”, përfundoi ai.
24-vjeçari anglez ka një kontratë të vlefshme me Milanin deri në vitin 2027, ndërsa gjatë këtij sezoni është paraqitur në 17 ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe Serie A.

