Thaqi pas humbjes së Dritës: Na mungoi fati - NACIONALE

Thaqi pas humbjes së Dritës: Na mungoi fati

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Drita shkaktoi befasinë e javës në Superligën e Kosovës, duke u mposhtur nga skuadra e Ferizajt 2:1 që deri në këtë ndeshje ishte në pozitë të fundit. Trajneri i gjilanasve, Arsim Thaqi, pas ndeshjes tha se krijuan raste por iu mungoi fati, ndërsa për Ferizajn tha se shënoi në dy raste të krijuara.

Drita zhvilloi ndeshje më të mirë në përgjithësi, madje edhe ishte në epërsi, por Ferizaj arriti ta përmbyste rezultatin, fal edhe rasteve të shumta të humbura nga skuadra e Thaqit.

“Jo vetëm pjesën e dytë, ne dominuam edhe në pjesën e parë të takimit. Drita duhet të shënonte me çdo kusht dhe duke tentuar ta bëjmë këtë, lamë hapësira në mbrojtje. Të themi se na mungoi fati, krijuam rast por shënuam, ndërsa Ferizaj shënoi në dy raste me anë të ndërprerjes dhe kundërsulmit”, tha fillimisht trajneri Thaqi.

Për Dritën munguan ndoshta tre lojtarët kyç të saj, si Almir Kryeziu, Besnik Krasniqi dhe Marko Simunovski, dhe për këtë trajneri Arsim Thaqi tha se mungesat luajtën rol të rëndësishëm, por duke parë kualitetet e skuadrës së tij, këto mungesa nuk do të duhej të vëreheshin.

“Mungesat kanë një rol të rëndësishëm normalisht, duke parë që mungoi golashënuesi më i mirë i skuadrës, Besnik Krasniqi, pastaj Simunovski dhe Kryeziu. Por kjo nuk do të thotë se të tjerët nuk duhej ta bënin punën e tyre, nuk është dashur të ndihej mungesa e tyre. Kjo humbje nuk ka të bëjë me motivim, sepse kam futbollistë profesionist, vetëm se duhej të ishim më të durueshëm dhe ta përfundonim ndeshjen më herët. Tani duhet të stërvitemi dhe të rikuperojmë pikët e humbura nga kjo lojë.”

Lajme të ngjashme