Tenistja bjelloruse del kundër presidentit të vet: Nuk e mbështes Lukashenkon - NACIONALE

Tenistja bjelloruse del kundër presidentit të vet: Nuk e mbështes Lukashenkon

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Bjellorusja Aryna Sabalenka ka thënë se nuk e mbështet tani për tani presidentin e vendit të vet, Alexander Lukashenko, për shkak se ai është duke e përkrahur luftën e Rusisë në Ukrainë.

Pasi nuk kishte pranuar të shfaqej në konferenca për media në French Open që nga e premtja për shkak të mirëqenies mendore si pasojë e pyetjeve të shpeshta politike, Sabalenka foli për media pasi arriti në gjysmëfinale të këtij turneu grand slam.

Në të kaluarën ajo kishte thënë se asnjë atlet nuk e përkrah luftën, por kjo është hera e parë që ajo flet haptazi kundër presidentit të Bjellorusisë Lukashenko.

Unë s’e përkrah luftën. Unë s’e mbështes Lukashenkon tani për tani”, tha Sabalenka, pasi e mposhti 6-4 6-4 tenisten nga Ukraina Elina Svitolina.

Lukashenko është aleat i afërt i presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe po i jep përkrahje atij në pushtimin e Ukrainës.

Sabalenka, e cila mund të bëhet numër një në tenisin e grave në French Open, është njëra nga atletet më të njohura bjelloruse.

Qëkur nisi lufta në shkurt 2022, ajo është përballur me presion për t’u distancuar nga lideri i atdheut të vet, të cilin e kishte takuar në disa raste në të kaluarën.

Pasi e fitoi titullin e parë grand slam në Australian Open në janar, Lukashenko e uroi Sabalenkën për triumfin dhe u pa duke ngre dolli për suksesin e saj në një video online.

Ai më vonë tha se njerëzit e dinin se nga cili vend vjen ajo edhe nëse është e detyruar të garojë me flamur neutral.

“E kam thënë shumë herë tashmë, unë nuk e mbështes luftën. Unë nuk dua që vendi im të përfshihet në asnjë konflikt”, shtoi 25-vjeçarja të martën.

“Nuk dua të përzihem në politikë, sepse unë jam thjesht lojtare tenisi”.

Lajme të ngjashme