Ten Hag ka vendosur ta shesë Maguiren në fund të sezonit - NACIONALE

Ten Hag ka vendosur ta shesë Maguiren në fund të sezonit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ten Hag ka sosur durimin me Harry Maguiren. Trajneri i Manchester Unitedit ka vendosur që ta shesë mbrojtësin anglez në fund të sezonit.

U pagua për një shumë të majme parash, rreth 87 milionë euro përfshirë bonuse tjera, por asnjëherë nuk ia doli që ta arsyetojë këtë investim të Manchester Unitedit. Tani duket se Harry Maguire numëron muajt e fundit në “Old Trafford”.

Është prestigjiozja britanike, “The Guardian”, ajo që këtë mbrëmje raportoi ekskluzivisht se Ten Hag ka ndarë mendjen për ta vendosur në listën e lojtarëve për t’u shitur Maguiren.

Paraqitjet e dobëta, pa bindur dhe aspak në shkallën që kërkon trajneri 52-vjeçar, kanë bërë që të vihet deri në këtë përfundim.

Prej disa javësh ai ka rrëshqitur në hierarkinë e mbrojtësve të Manchester Unitedit, duke përfunduar si zgjedhja e katërt nga mbrojtësit qëndrorë.

Jashtë planeve të Ten Hagut

Që prej humbjeve 2:1 ndaj Brightonit dhe 4:0 ndaj Brentfordit, më Harry Maguire nuk është konsideruar si mbrojtës titullar në skuadër.

Nga ajo periudhë kohore ai nuk figuron më në planet e Ten Hagut. Trajneri holandez luan me dyshen Varane dhe Martinez. Po ashtu, Lindelof e ka kapërcyer në hierarki 29-vjeçarin anglez.

Përfaqësuesi anglez për klubin nga “Old Trafford” është edhe një barrë e rëndë ekonomike, pasi ka një pagë javore të majme, prej 190 mijë funtash.

Kontrata e tij skadon në vitin 2025, por kur kishte nënshkruar për Manchester Unitedin ishte paraparë edhe mundësia e vazhdimit të saj për një sezon tjetër. Kjo nuk do të arrihet, sepse në bazë të raportimeve të “The Guardian”, Ten Hag është i vendosur që ta shesë atë në fund të sezonit.

Profesionalizmi i lojtarit vlerësohet nga Ten Hag, por dëshiron që ta shesë atë në mënyrë që të shtojë cilësi në skuadër, për ta rritur kështu konkurrencën për Varane dhe Martinez.

Mësohet se klubi është i vetëdijshëm se do të ketë vështirësi enorme për ta inkasuar qoftë edhe përafërsisht shumën 80 milionë funteshe që kishte paguar për shërbimet e tij.

Ish-mbrojtësi i Leicesterit kur u afrua te Manchester Unitedi kishte përkrahjen maksimale nga ish-trajneri norvegjez, Gunnar Solskjaer.

Ai e bleu nga Leicesteri në verën e vitit 2019 dhe më pas ia besoi kapitenin e skuadrës, edhe pse për këtë epitet nuk bindi asnjëherë dhe që herët ishte parë si vendim i ngutshëm dhe i paarsyeshëm.

Ky lajm vjen pak ditë para fillimit të Botërorit. Kujtojmë se përkundër shumë polemikave, ai u ftua nga përzgjedhësi Southgate për të qenë pjesë e skuadrës për në Katar.

Lajme të ngjashme