Ten Hag: Edhe Ronaldo na ndihmon në mbrojtje, jemi skuadër e vështirë për t’u mposhtur - NACIONALE

Ten Hag: Edhe Ronaldo na ndihmon në mbrojtje, jemi skuadër e vështirë për t’u mposhtur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ten Hag ka lëvduar ekipin e tij për mënyrën se si qëndron kompakt. Një pjesë të madhe të meritës ia ka atribuar edhe gatishmërisë së të gjithë lojtarëve për t’u mbrojtur, përfshirë këtu edhe ndihmën që vjen nga Cristiano Ronaldo.

Manchester United akoma nuk është stabilizuar në renditjen tabelore, por po shënon hapa të konsiderueshëm në konsolidimin e mbrojtjes së saj.

Trajneri i saj, Ten Hag, ka deklaruar se ka të bëjë me kompaktësinë e ekipit, ku të gjithë janë të gatshëm t’i ofrojnë një ndihmë njëri-tjetrit në mbrojtje, duke nisur nga vetë reparti sulmues me në krye Cristiano Ronaldon.

“Vija mbrojtëse është optimale sepse mbrohemi me njëmbëdhjetë (11) lojtarë, duke filluar nga Cristiano Ronaldo. Kështu që, jemi skuadër e vështirë për t’u mposhtur”, nënvizoi ai.

Ai këtë gjë e ka quajtur si kompliment, ngase e sheh si një proces për t’u përmirësuar ekipi: “Mendoj që është një kompliment ky i imi, por është edhe ai proces të cilin duhet ta çojmë përpara."

Për trajnerin holandez nëse skuadra luan me pasionin e duhur, atëherë shndërrohet në një arrë të fortë për çdo kundërshtar dhe në një ekip që zor mposhtet.

“Kur luajmë me dëshirë dhe pasion, është vështirë të mposhtemi. Ky aspekt, në këtë moment, na bënë të jemi fitues”, përfundoi ai.

Manchester United do të luajë nesër si mysafir ndaj Aston Villas në Premierligë. Për momentin zë pozitën e 5-të në tabelë me 23 pikë.

Normalizimi i marrëdhënieve me Ronaldon

Cristiano Ronaldo ka qëndruar disa ditë i pezulluar nga klubi për shkak të largimit të tij të parakohshëm nga ndeshja ndaj Tottenhamit, të cilën “djajtë e kuq” e fitonin 1:0 në “Old Trafford” gjatë muajit të kaluar.

Që atëherë, përkundër një acarimi dhe tensionimi mes Ten Hagut dhe Cristiano Ronaldos, gjërat kanë shkuar në drejtim të paqes mes të dyve.

Zbythjen e parë e kishte bërë Ronaldo, i cili ishte zotuar që do të punonte fort për të siguruar më të mirën e skuadrës së tij, gjatë kohës kur i njëjti po stërvitej i izoluar nga pjesa tjetër e skuadrës.

Njëkohësisht, trajneri i Manchester Unitedit ka deklaruar kaherë që nuk dëshiron shitjen e Ronaldos gjatë afatit kalimtar dimëror, duke larguar të gjitha zërat e mundshëm që e lidhnin atë me një transferim gjetiu në janar.

Gjithashtu, Ten Hag e ka quajtur vazhdimisht Ronaldon si lojtar të rëndësishëm, ndonëse ashtu siç është lehtë e dukshme dhe e prekshme si realitet i ri, pesë herë fituesi i Topit të Artë më nuk figuron si titullar në ekipin e tij, ndryshe nga sezoni i kaluar.

I vetmi kompeticion ku Ronaldo ka luajtur me vazhdimësi nga minuta e parë ka qenë ai i Ligës së Evropës.

Lajme të ngjashme