Ten Hag e mbështet Fernandes të rikthehet në formë te Unitedi
Trajneri Erik ten Hag i ka dalë në mbrojtje kapitenit Bruno Fernandes pas fillimit të ngadaltë këtë sezon, duke thënë se është thjesht çështje kohe para se portugezi të gjejë nivelin më të mirë.
Fernandes ka vetëm një asistim këtë sezon në Premierligë, ndërsa është kritikuar tejmase për paraqitjet në dy ndeshjet e fundit, ku Unitedi u ndal në dy barazime, ndaj Crystal Palace, respektivisht Twente.
Para derbit ndaj Tottenhamit, Ten Hag e mbështeti Fernandesin duke iu treguar të gjithëve se lojtari së shpejti do ta gjejë formën e duhur.
“Mendoj që skuadra e ka sjell në këtë situatë. Ka aftësi dhe e ka dëshmuar tashmë shumë herë në Premierligë duke krijuar shumë shanse”.
“Jam i bindur se nuk do të ndryshojë. Ai do ta gjejë formën e duhur. Është duke krijuar shanse, por do ta bëjë atë pasin final dhe të shënojë gola, 100 për qind. Është thjesht çështje kohe”.
Unitedi deri më tani ka shënuar vetëm pesë gola këtë sezon, ndërsa renditen në pozitën e 11-të në Premierligë.
“Kemi lojtarë në skuadër që kanë aftësinë për të shënuar. Por, nëse shihni shanset që krijuam atëherë nuk kemi shënuar mjaftueshëm”.
“Tottenham? Është gjithnjë mirë ndaj Tottenhamit dhe na përshtatet stili ynë. Do të jetë lojë dinamike, shumë atraktive”.