Te Shqipëria dhe Kosova e mohojnë se Mirlind Daku do t'u bashkohet kuqezinjve nga dardanët - NACIONALE

Te Shqipëria dhe Kosova e mohojnë se Mirlind Daku do t'u bashkohet kuqezinjve nga dardanët

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta Nacionale ka kontaktuar zyrtarët e dy federatave të futbollit, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, në lidhje me disa lajme që qarkulluan se Mirlind Daku i është bashkuar ekipit kombëtar kuqezi. Zyrtarët në fjalë mohuan një gjë të tillë.

Në orët e fundit po qarkullon një lajm se sulmuesi kosovar, Mirlind Daku, ka pranuar ta përfaqësojë Shqipërinë tani e tutje. Gazeta Nacionale siguroi dy prononcime nga zyrtarët e federatave respektive.

Nga FSHF zyrtari për medie, Andi Vercani, u shpreh i habitur me një lajm të tillë: “Nuk kam asnjë informacion dhe është hera e parë që e dëgjoj një lajm të tillë.”

Për Gazetën Nacionale shkurtimisht u prononcua edhe menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala. Ai tha se Mirlind Daku vazhdon të konsiderohet pjesë e kombëtares kosovare njësoj sikur të gjithë futbollsitët tjerë.

“Jo, Daku është pjesë e ekipit të parë te Kosoves, prandaj nuk është që kemi biseduar. Ai s'na ka njoftuar asgjë në rast që kjo është e vërtetë. Tani mbetet të shihet”, tha ai.

Neglizhenca e FFK-së ia mundëson Dakut ndërrimin e kombëtares

Koha do të dëshmojë nëse Mirlind Daku do të vijojë që të mbetet pjesë e dardanëve apo jo. Ajo që është e sigurt ka të bëjë me neglizhencën e paskrupullt të FFK-së, e cila për të disatën herë rrezikon ta bëjë lëshimin e njëjtë, duke lejuar që lojtarë të ndryshëm të Kosovës t’u bashkohen kombëtareve tjera për shkak se nuk janë ftuar në ndeshje zyrtare.

I njëjti tregim vlen edhe për Mirlind Dakut. Ky i fundit nuk ka luajtur në ndeshjet kualifikuese me ekipin e parë kombëtar të Kosovës.

Në të vetmet raste kur është ftuar nga ish-përzgjedhësi Challandes apo nga ai i tanishmi Giresse, ka qenë për ndeshje miqësore. Kujtojmë se sipas rregullores së FIFA-s aktivizimi në ndeshje miqësore nuk ia mohon një futbollisti të drejtën që ta ndryshojë përfaqësimin e vet, nëse nuk ka luajtur më herët në ndeshje kualifikuese.

Për fat të keq, Mirlind Daku është në këtë pozitë. Pra, nëse do të vendoste ta përfaqësonte Shqipërinë, atij s’do mund t’i bënte askush pengesë, sepse do të ishte në të drejtën e tij.

Kosova e ngathtë është treguar edhe me disa futbollistë të tjerë. Dëshmia e fundit vjen nga kombëtarja U-21 dhe eksodi i saj drejt Shqipërisë. Adrion Pajaziti dhe Medon Berisha pranuan ftesën e Shqipërisë U21, duke braktisur radhët e dardanëve.

Më herët njësoj kishte vepruar edhe Ardian Ismajli. Vetëm se në rastin e ish-kapitenit të Kosovës, ai ftohej drejtpërdrejt nga Kombëtarja e Shqipërisë A.

Agim Ademi nuk heziton asnjëherë që t’i përmendë ato që ai i quan suksese të kombëtares që ndërlidhen gjoja me angazhimin e tij, por harron të përmendë që një hallkë e tërë e kombëtareve zinxhir, duke përfshirë edhe atë A, po tkurret e dëmtohet nga mosdija dhe mosprofesionalizmi i tij dhe zyrtarëve që emëron ai.

Mirlind Daku mund të jetë vetëm njëri prej shumë lojtarëve që është i pakënaqur me trajtimin që ia bën Kosova, e rrjedhimisht edhe FFK-ja në këtë rast.

Lajme të ngjashme