Licencohen edhe gjashtë federata, por jo e FFK-së - NACIONALE

Licencohen edhe gjashtë federata, por jo e FFK-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka licencuar edhe gjashtë federata të tjera, mirëpo jo atë të futbollit (FFK).

Përmes një postimi në "Facebook", MKRS njoftoi se zyrtarisht janë licencuar Federata e Skitarisë, Tenisit, Boksit, Shenjëtarisë, Autosportit dhe Muaythai.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

"Edhe 6 federata të sportit të licencuara nga MKRS

Zëvendësministrja e Sportit, Daulina Osmani, priti sot në takim udhëheqësit e 6 federatave sportive.

Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit për licencim në kuadër të Ministrisë së Sportit, i janë dorëzuar zyrtarisht licencat për ushtrimin e veprimtarisë Federatës Skitare, Federatës së Tenisit, Federatës së Boksit, Federatës së Shenjëtarisë, Federatës së Autosportit dhe Federatës Muaythai.

Përgëzime dhe suksese për të gjitha federatat në veprimtarinë e tyre", shkroi MKRS.

Ndërsa, Federata e Futbollit të Kosovës vazhdon të mos jetë e licencuar shkaku i mangësive dhe dokumenteve të pakompletuara.

Në fakt, Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave sportive së fundmi zbuloi se kryetari Agim Ademi edhe ka deklaruar rrejshëm kinse ka dërguar dokumentacionin e plotë dhe saktë në MKRS.

Në dokumentacionin e dërguar në MKRS, Ademi kishte deklaruar: “Përmes kësaj deklarate, nën përgjegjësinë para ligjit, deklaroj se të gjitha të dhënat e paraqitura në dokumentacionin e dorëzuar tek MKRS-ja për licencim nga federata e sportit përkatës, janë plotësisht të sakta dhe të vërtetuara paraprakisht nga zyrtarët përgjegjës të federatës përkatëse”.

Ndërsa, KVLFS-ja i është përgjigjur kështu: “KVLFS konstaton se z. Agim Ademi e ka shkelur edhe deklaratën nën betim, duke dërguar dokumentacion të pakompletuar lidhur me gjendjen e tij juridiko-penale, dhe në këtë mënyrë është përpjekur që ta vërë në lajthitje Komisionin Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive, veprim ky i dëmshëm në aspektin etik e profesional, por edhe i dënueshëm në aspektin ligjor.”

Lajme të ngjashme