Te Federata zvicerane flasin për Amir Saipin, thonë se ishte portieri i pestë në hierarki - NACIONALE

Te Federata zvicerane flasin për Amir Saipin, thonë se ishte portieri i pestë në hierarki

1 vit më parë

nga NACIONALE

Amir Saipi mund të quhet tashmë pjesë e Kombëtares së Kosovës, pasi 24-vjeçari pritet të ftohet në ndeshjet e tetorit në Ligën e Kombeve.

Saipi ishte pjesë e gjeneratave të reja të Zvicrës, madje luajti në Kampionatin Evropian për U21 në verën e kaluar, por sipas mediave në Zvicër, ai tashmë ka vendosur të jetë pjesë e Dardanëve.

Kombëtarja e Kosovës për portierin e Luganos ishte interesuar edhe kohë më parë, por i njëjti zgjodhi të luante për gjeneratat e reja të Zvicrës, por tani ai ka parë që nuk ka të ardhme të sigurt dhe vendosur të bashkohet me Kosovën, siç kanë bërë edhe shumë të tjerë.

Për këtë ka folur drejtori i Kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami, ku ka thënë se para Amir Saipit janë edhe katër portierë të tjerë.

"Për momentin hierarkia sa i përket portës te Zvicra është e qartë. Para Saipit janë Kobel, Mvogo, Omlin e Koehn, të gjithë këta aktiv në ligat më të mëdha evropiane", tha fillimisht drejtori për televizionin zviceran.

Tami shtoi tutje duke thënë se konkurrenca ka mundur të luajë rol në zgjedhjen e Saipit, pasi ky i fundit ka dashur të luajë menjëherë në nivel ndërkombëtar.

“Është e vërtetë që ai nuk do ta kishte marrë menjëherë këtë mundësi me ne. Por dera jonë do të mbetej gjithnjë e hapur.Do të varej edhe nga përparimi në edicionet e ardhshme dhe dëshira e tij për të qenë pjesë e grupit. Ne kemi përsëritur interesimin tonë për të pak para Kampionatit Evropian”.

Drejtori i Kombëtares së Zvicrës madje e krahasoi rastin me Berat Gjimshitin.

"Unë isha trajner i Berat Gjimshitit te Zvicra U21 dhe në atë kohë askush, me gjasë as vet ai, nuk ka menduar se mund të arrijë nivelin që e ka arritur sot me Atalantan. Nëse do të mendonte se do të bëhej njëri prej mbrojtësve më të mirë në Serie A, ndoshta do të zgjedhte Zvicrën para Shqipërisë, pikërisht pasi kjo do t’i jepte mundësinë të paraqitej në ngjarje të mëdha".

I përballur me konkurrencë të madhe, sidomos me katër portierë të nivelit të lartë, Amir Saipi ka vendosur të mos e presë më Zvicrën, tani kur Kosova ka probleme me portën, pasi në muajin e kaluar Arijanet Muric u përjashtua nga kombëtarja dhe ende nuk dihet se si do të jetë fati i tij.

Amir Saipi luan tani te Lugano, ku ka bërë 83 paraqitja që nga viti 2021 kur ishte transferuar nga Schaffhausen.

Lajme të ngjashme