Tchouameni 'hero' i Real Madridit në fitoren ndaj Las Palmas, 'Mbretërit' vazhdojnë kryesimin e La Ligës - NACIONALE

Tchouameni 'hero' i Real Madridit në fitoren ndaj Las Palmas, 'Mbretërit' vazhdojnë kryesimin e La Ligës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndonëse me shumë vështirësi, Real Madridi ka arritur që me përmbysje të rezultatit të triumfojë ndaj Las Palmas, kështu për t'u larguar në dy pikë ndaj ndjekësit më të afërt për garën për titull, Girona.

Mbretërit kanë vazhduar me fitore në La Liga, duke çuar tani serinë në pesë fitore radhazi.

Pjesa e parë me raste të rrezikshme i takoi skuadrës së Carlo Ancelottit, që patën mundësinë disa herë të kalonin në epërsi, por nuk u treguan konkret para golit, me 45 minutat e parë që u mbyllën pa gola.

Tetë minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Las Palmas befasoi, duke shënuar golin për 1:0 me anë të Javi Munoz, pas një kundërsulmi të shpejtë, ku Sandro Ramirez e përfundoi pothuajse të gjithë punën.

Skuadra mbretërore e quajtur jo më kot e tillë, bëri të pamundurën të mundur.

Ishte fillimisht Vinicius Junior që shënoi bukur për të barazuar rezultatin në 1:1 në minutën e 65-të, me Camavingan që bëri një asistim të jashtëzakonshëm.

Ndërsa heroi i takimit ishte Aurelian Tchouameni, i cili pas harkimit të Toni Kroos nga këndorja, kërceu më së larti për të shënuar për fitoren 2:1 në minutën e 84-të.

Me këtë fitore Real Madrid shkon në kuotën e 54 pikëve, dy më shumë se Girona, që është befsia e këndshme e këtij sezoni në La Liga.

Lajme të ngjashme